MENU
klinika

Nafta drejt kapërcimit në mbi 200 lekë për litër

Çmenduri me çmimet e karburanteve

23.08.2023 - 11:16

Edhe pse çmimi i naftës në bursë ka rënë, në vend çmimi i naftës është rritur. Kjo rritje rëndon në xhepat e qytetarëve të cilët po grabiten nën dritën e diellit, ndërsa qeveria mban sehiri. Që prej Janarit të këtij viti, çmimet e karburanteve në vend nuk e kanë kapërcyer 200 lekëshin për litër, por kjo mund të mos zgjasë edhe shumë. Indeksi i naftës bruto flet qartë, se pasi një fuçi ra në 74 dollarë mesatarisht në Qershor, çmimet po rriten gradualisht dhe pritet të prekin madje 90 dollarë për fuçi deri në fund të vitit. Kjo falë OPEC që ka shkurtuar prodhimin në nivelin më të ulët të dy viteve të fundit. Rafineritë e kanë përcjellë mesazhin, duke rritur javën e fundit çmimin për çdo ton naftë nga 893 dollarë në 927 dollarë. Në vendin tonë, veçanërisht pas shkrirjes së Bordit të Karburanteve, çdo rritje në bursa po reflektohet menjëherë edhe në pompa. Dhe falë luhatjeve të kursit të këmbimit, ku dollari ka rikuperuar 8% të vlerës në muajin e fundit, shtrenjtimi do të ndihet edhe më shumë. Sipas formulës që përdorte Bordi, një litër naftë do të kushtonte sot 193 lekë dhe një litër benzinë rreth 196 lekë për litër, çmimet më të larta që prej muajit Mars. Teksa kompanitë e hidrokarbureve kanë aplikuar mesatarisht edhe 3 deri në 5 lekë më shumë se sa kjo formulë, pritet që shumë shpejt nafta të tejkalojë 200 lekëshin për litër. Krizën e re po e ndjejnë njëkohësisht edhe vende si Italia, që regjistron sot çmimet më të larta të një viti, duke prekur mbi 2 euro për litër në pikat e karburantit në autostrada. Në rajonin e Ballkanit ndërkohë çmimi për një litër naftë varion nga 139 lekë në Maqedoninë e Veriut deri në 177 lekë në Serbi.

Reagon Rama
Ndërkohë, në një kohë kur çmimi i naftës po rritet, kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin e mirë. Dje, ai ka ndarë një foto nga Shpiragu, ku vijojnë kërkimet për nxjerrjen e naftës, pasi pak kohë më parë u fol për zbulimin e një vendburimi nafte. Rama shkruan se jemi pranë testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri në sipërfaqen e tokës. Këto përgjigje sipas Ramës pritet të dalin brenda fundit të këtij viti. Ai shton se përpjekjes dhjetëvjeçare po i afrohet ora vendimtare e së vërtetës. “Në Shpirag, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1 km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës. Në fund të këtij viti do ta mësojmë këtë, ndërkohë që po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë. Paçim fat tanimë kur kjo përpjekje thuajse dhjetëvjeçare, po i afrohet orës vendimtare të së vërtetës”, shkroi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.