Banka e Shqipërisë vlerëson se çmimi i qirave dhe i shitjes së banesave në Tiranë dhe në zonat bregdetare do të vijojë të rritet.
Në studim janë marrë për bazë çmimet e disa viteve me radhë. Më konkretisht në fillim të vitit 2017, mesatarja e qirasë mujore për metër katror ka nisur me 475 lekë për Tiranën dhe 260 lekë e 310 lekë, përkatësisht për bregdetin dhe për zonat qendrore.
Nga kjo periudhë e deri në vitin 2020 rezultojnë që çmimet të jenë rritur me 12% në kryeqytet.
Ndërkohë, në bregdet ka pasur luhatje në fillim rritje e më pas rënie ashtu si edhe në qytetet e tjera.
Por menjëherë pas vitit 2020 dhe më konkretisht pas muajve të parë të covir në tiranë rritja kapërceu me 1 për qind në çdo muaj e po në të njëjtin trend dhe në qarqet e tjera.
Në këtë periudhë çmimi për m2 i qirasë shkoi mesatarisht 675 lekë.
“Për dhjetorin, qiraja mesatare e një apartamenti tipik banimi 85 metra katrorë, me dy dhoma gjumi, një dhomë ndenjeje, një kënd gatimi, një banjo e një ballkon: në Tiranë rezulton 57,375 lekë, në bregdet 40,375 lekë, dhe në zonat qendrore të vendit 38,250 lekë”, thuhet në studim.
Banka e Shqipërisë vë re se ka qenë tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia e kovidit pak muaj më pas që solli një tendencë në rënie të çmimeve, por që u tejkalua shpejt, faktor ky i parë në bregdet por dhe në rrethe.
Ndërkohë, ky impakt rezultoi thuajse i papërfillshëm tek çmimet e qirave në Tiranë.
Por edhe Banka e Shqipërisë saktëson se pas vitit 2022 kur u shënua dhe rritja e inflacionit çmimet e qirave njohën një shtrenjtim edhe më të fortë.