Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi theksoi se Unaza e Madhe e Tiranës pritet të vihet në funksionim brenda vitit 2025. I ftuar në “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra, Berberi theksoi se brenda këtij viti synohet edhe hapja e dy segmenteve në Paskuqan që lidhen me këtë projekt.
“Unaza e Tiranës është arteria kryesore e Tiranës që mbledh të gjitha flukset që vijnë. Ne kemi filluar prej kohësh dhe jemi në një pikë interesante të këtij projekti. Besojmë që brenda këtij viti do të dorëzojmë dy segmentet e zonës së Paskuqanit tek ura e Babrrusë dhe pastaj brenda vitit tjetër të dorëzojmë të gjithë segmentin e unazës së përfunduar. Këto janë afatet që sot mund të japim pasi kemi pasur shpronësimet dhe stabilizimet dhe dhëniet e banesave të atyre, banesat e të cilëve nuk përputheshim me ligjin e legalizimit. Për këtë doli një VKM e veçantë që i trajton këto banesa, me një banesë dhe bonus deri në tre vjeçare. Një politikë e tillë sociale, që edhe këto që skualifikohen nga legalizimi, të kishin një banesë të tyre. Kjo na mori kohë. Mund të themi se brenda vitit 2015, e gjithë unaza do të jetë në funksionim.“, theksoi Berberi.
Berberi theksoi gjithashtu se një fokus të madh u kanë akseve kryesore dhe dy arterieve, Korridori adriatiko-jonian dhe Korridori 8.
“Një fokus të madh iu kemi dhënë akseve kryesore. Kemi dy arterie kryesore: Korridori adriatiko-jonian dhe aksin e Korridorit 8 që fillon nga porti i Durrësit dhe lidhet me Maqedoninë e Veriut. Fokusi ynë është që shkurtojmë akset, të fokusohemi tek këto dy arterie pa lënë pas dore të tjerat. Korridori adriatiko-jonian nuk përfundon vetëm në Vlorë. Duam të bëjmë një studim që pjesa tjetër e mbetur nga Levani në drejtim të Kakavijës të kthehet me të njëjtin standard si Korridori 8.”, u shpreh ai.
Një fokus më të shtuar, shtoi drejtori i ARRSH, kanë edhe akset në zonat malore dhe periferike, të cilat kanë problematika me dëborën dhe relievin e thyer. Ndërkaq, i pyetur për rrugën e Arbrit, ai theksoi se brenda nëntorit synojnë të dorëzojnë të gjithë segmentet që kanë qenë në gjendje kantieri.
“Sa i përket tunelit të Murrizit, në momentin që do të shohim dritë në fund të tunelit, atëherë do të japim një afat kohor se kur përfundon rruga e Arbrit“, u shpreh Berberi.
Për zgjerimin e segmentit rrugor Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të rrugës Ndroq-Plepa, Berberi theksoi: “Kemi menduar zgjerimin e segmentit nga Tirana deri në nyjën e madhe të Kasharit. Nëse nuk i bëjmë procedurat këtë vit, në mars të vitit tjetër procedurat për zgjerimin janë të filluara dhe për rrugën Ndroq-Plepa për fazën e parë sepse nuk e kemi kapacitetin. Do të fillojmë me fazën e parë nga Ndroqi deri tek pikëtakimi me Korridorin adriatiko-jonian.“, shtoi Berberi.