MENU
klinika

Shifrat

Familjet e bizneset do të paguajnë më shumë taksë prone

07.08.2023 - 12:16

Familjet dhe bizneset shqiptare sot paguajnë mesatarisht 6.1 miliardë lekë (58 milionë euro) në vit, si taksë mbi shtëpitë apo pasuritë e tjera të paluajtshme që ata kanë. Kaq janë të ardhurat që janë mbledhur në buxhet nga taksa mbi pasurinë (ndërtesat) në vitin 2022, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave në treguesit fiskalë 2022. Kjo shumë është sa 0.3% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto-PBB).

Një projektligj “Për taksën e pasurisë së paluajtshme” i nxjerrë për konsultim nga qeveria së fundmi parashikon që të rrisë ndjeshëm të ardhurat që mbledh buxheti nga kjo taksë si rrjedhojë dhe pagemat mujore e vjetore të familjeve e bizneseve.

Projektligji parashikon që të ardhurat nga taksa e pasurisë pas implementimit të kësaj forme të re të arrijnë në kufirin mes 0.7-1.1 për qind të PBB. Nisja e zbatimit për ndërtesat parashikohet në vitin 2026 ndërsa për truallin ën vitin 2028.

Aktualisht, taksa e pasurisë referuar ligjit që u miratua në 2018 është 0,05% e vlerës së apartamenteve, ndërsa me drafligjin e ri parashikohet që të jetë Nga 0.1% deri në 0.2%.

Përveç rritjes së koeficientit, së fundmi është shtuar ndjeshëm dhe vlera e referencës mbi bazën e të cilit do të bëhet llogaritja e taksës, apo dhe ćmimi i tregut (nëse llogaritja do bëhet mbi çminin e tregut), duke sjellë automatikisht pagesa shumë më të larta për taksën e pronës.

Sot, ekonomia vendase qarkullon rreth 2.1 trilionë lekë sipas të dhënave të Ministrisë së Financave (PBB nominale), ndërsa nga taksa e pronës u mblodhën vetëm 0.3% e kësaj shume (6.1 miliardë lekë).

Në vitin 2026, po sipas Ministrisë së Financave (kuadrit afatmesëm), PBB nominale pritet të arrijë në 2.5 trilionë lekë, ose rreth 23 miliardë lekë.

Nëse do të arrihet plani për të mbledhur 0.7-1% të PBB-së, atëherë në një vit familjet e bizneset shqiptare do të paguajnë si taksë prone 18-25 miliardë lekë (170-220 milionë euro në vit), ose rreth 110-160 milionë euro më shumë sesa sot, që është 3-4 herë më e lartë sesa shumë që mblidhet sot.

Qeveria ka publikuar për konsultim draftligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” duke parashikuar konceptin e ri për këtë taksë që synon të sjellë më shumë të ardhura në arkën e shtetit. Taksa e pasurisë është takse vendore, vjetore.

Në nenin 4 të projektligjit nënvizohet se taksa e pasurisë llogaritet si shumëzim i vlerës se taksueshme te pasurisë se paluajtshme me shkallen e zbatueshme ke taksës.

Te ardhurat e mbledhura nga taksa e pasurisë derdhen për llogari te Bashkisë, në territorin e së cilës ndodhet pasuria e paluajtshme që përdoren nga Bashkia në përputhje me legjislacionin në fuqi për financat e vetëqeverisjes vendore.

Pronat do të ndahen në kategori dhe vlerë dhe një metodologji e miratua me vendim të Këshillit të Ministrave do të japë detaje për secilën prej tyre. Taksimi do të bëhet jo vetëm për ndërtesat por edhe për parcelat dhe sipas planit taksa për kategorinë e parë nis nga viti 2026 ndërkohë për të dytën nga viti tatimor 2028.

Drafti parashikon që për të gjithë njësite e ndërtesave, që përfshihen në kategorinë e pronave rezidenciale, shkalla e taksës mund të variojë në shkallet nga 0,1% (zero presje një për qind) deri në 0,2% (zero presje dy për qind)

Rritja indirekte e taksës ka filluar tashmë me rivlerësimin e referencës së apartamenteve

Edhe përpara se të hyjë në fuqi ligji i ri, familjet dhe bizneset pritet që të paguajnë shumë shpejt më shumë për taksën e pronës, si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të referencës të apartamenteve mbi të cilat llogaritet taksa e pasurisë, e cila do të sjellë direkt shtim të pagesës vjetore të taksës, pasi baza e llogaritjes është vlera e shtëpisë.

Referuar tabelës së çmimeve fiskale, p.sh për zonën e ish Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1, vlera e një apartamenti me sipërfaqe 90 m2x190,000 lekë/m2 çmimi fiskal i vitit 2018 është 17,100,000 lekë.

Taksa e pasurisë që paguhej në 2018 ishte 8,850 lekë në vit. Çmimi fiskal referencës për këtë zonë u rrit 20%, duke arritur në vlerën e 228,400 lekëve për metër katror. Taksa vjetore në vlerë do të jetë 1,728 lekë më shumë në vit apo 20% më e lartë.

Në zonën kadastrale 7/4 që përkon në terren me zonat, si: Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht është shënuar rritja më e madhe e çmimeve fiskale me rreth 76%.

Në 2026-n, një familje do të paguajë 4 herë më shumë për taksën e pronës

Një familje në rrugën Myslym Shyri sot paguan 5,800 lekë në vit si taksë prone për një apartament prej 80 metra katror, i cili ka një vlerë reference prej 11.6 milionë lekë.

Në vitin 2026, kjo familje do të paguajë mesatarisht 0.15% të vlerës së pronës si taksë (mesatarja e 0.1 dhe 0.2) për një apartament që tashmë është i rivlerësuar në 15.4 milionë lekë. Bazuar në koeficientët e rinj dhe vlerën e rishikuar të apartamenteve, kjo familje do të paguajë 23.1 mijë lekë në vit si taksë prone, ose gati 4 herë më shumë sesa sot.

Marrë nga Monitor.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN