MENU
klinika

Inteligjenca Artificiale po na "pushton"

Google nis testimin e një asistenti AI që ofron këshilla mbi jetën

19.08.2023 - 08:45

Në fillim të këtij viti, Google, u përfshi në një konkurrencë të përshpejtuar me rivalët si Microsoft dhe OpenAI për të zhvilluar teknologjinë e AI.

Kështu, në prill, Google bashkoi DeepMind, një laborator kërkimor që kishte blerë në Londër, me Brain, një ekip i inteligjencës artificiale që operon në Silicon Valley. Katër muaj më vonë, grupet e kombinuara po testojnë mjete të reja ambicioze që mund ta kthejnë AI gjeneruese – teknologjinë që qëndron pas chatbot-eve si ChatGPT i OpenAI dhe Bard i vetë Google – në një këshillues të jetës personale.

Google DeepMind ka punuar me AI gjeneruese për të kryer të paktën 21 lloje të ndryshme detyrash personale dhe profesionale, duke përfshirë këtu shërbime për t’u dhënë përdoruesve këshilla për jetën, ide dhe udhëzime planifikimi.

Projekti është një tregues i urgjencës së Google për t’u rikthyer fuqishëm në treg përmes shërbimeve AI dhe sinjalizon gatishmërinë e kompanisë për t’u besuar sistemeve të AI me detyra të ndjeshme.

Në një slide të paraqitur para drejtuesve në dhjetor, ekspertët e sigurisë së AI në Google kishin paralajmëruar për rreziqet e njerëzve që lidhen shumë emocionalisht me chatbots. Megjithëse ishte një pionier në krijimin AI gjeneruese, Google u la në hije nga prezantimi i ChatGPT nga OpenAI në nëntor, duke ndezur një garë midis gjigantëve të teknologjisë dhe startup-eve për përparësi në hapësirën me rritje të shpejtë.

Google ka kaluar nëntë muajt e fundit duke u përpjekur të demonstrojë se mund të konkurojë me OpenAI dhe partnerin e tij Microsoft, duke lëshuar Bard, duke përmirësuar sistemet e tij të AI dhe duke përfshirë teknologjinë në shumë prej produkteve të tij ekzistuese, duke përfshirë motorin e tij të kërkimit dhe Gmail.

Ndër të tjera, punëtorët po testojnë aftësinë e asistentit për t’iu përgjigjur pyetjeve intime rreth sfidave në jetën e njerëzve. Ata dhanë idenë e një prompt-i ideal që një përdorues mund të përdorë për të pyetur chatbot-in: “Kam një mikeshë shumë të ngushtë që do të martohet këtë dimër. Ajo ishte shoqja ime e dhomës në kolegj dhe shoqëruese e nuses në dasmën time. Dua shumë të shkoj në dasmën e saj për ta festuar, por pas muajsh kërkimi për punë, ende nuk kam gjetur punë. Ajo është duke bërë një dasmë në destinacion dhe unë thjesht nuk mund të përballoj fluturimin apo hotelin tani. Si t’i them asaj që nuk do të mund të vij?”

Ky shërbim AI mund t’u japë përdoruesve sugjerime ose rekomandime bazuar në një situatë.

Ekspertët e sigurisë së AI të Google kishin thënë në dhjetor se përdoruesit mund të përjetonin “rënie të mirëqenies apo shëndetit” nëse merrnin këshilla për jetën nga AI. Ata kishin shtuar se disa përdorues që u bënë shumë të varur nga teknologjia mund të mendonin se teknologjia arrin të ndjejë. Dhe në mars, kur Google lançoi Bard, tha se chatbot-it i ndalohej të jepte këshilla mjekësore, financiare ose ligjore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ekspertja e Oksfordit tregon se sa janë shanset

“Skenari Terminator” nga inteligjenca artificiale?