MENU
klinika

Zgjedhjet në Kukës/ Caktohen afatet e partive

KQZ njeh PL si forcën kryesore të opozitës!

21.08.2023 - 08:37

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njeh ligjërisht partinë e drejtuar nga Ilir Meta si forcën më të madhe të opozitës.

Komisioneri Ilirjan Celibashi përcaktoi ditën e shtunë partitë politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarët e komisionit zonal të administrimit zgjedhor për betejën elektorale për bashkinë e Kukësit duke vendosur se PS do të propozoje 3 anëtarë, Partia e Lirisë 2 anëtarë dhe një anëtar Partia Demokratike. Statusi i ri i Partisë së Lirisë si partia kryesore e opozitës buron nga rezultati i zgjedhjeve të 14 majit, ku koalicioni Bashkë Fitojmë u rendit i dyti.

“Ky si subjekt ka një numër votash të tillë që e bën atë të pretendojë të drejtë për të propozuar anëtarët e KZAZ si parti politike e opozitës që ka marrë më shume vota në zgjedhjet vendore”, shprehet Ilirjan Celibashi. Sipas Kodit Zgjedhor, si moment referimi për përcaktimin e peshës së secilës forcë politike janë zgjedhjet e fundit lokale dhe në betejën e 14 majit koalicioni “Bashkë Fitojmë” në votën për këshillat bashkiake u rendit i dyti pas Partisë Socialiste.

Pavarësisht se forca kryesore e këtij koalicioni ishte Sali Berisha dhe demokratët që e mbështesin, për shkak se Berisha ligjërisht nuk ka parti të gjitha përfitimet i merr partia e lirisë. Ndërkaq, për herë të parë në 30 vite, Partia Demokratike renditet forcë e tretë pasi në 14 maj ajo mori 7.7% të votave. Por edhe pse pranon se u rendit e treta në zgjedhjet lokale, partia demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha kërkon që të përllogariten votat e Partisë se Lirisë brenda koalicionit dhe pastaj të bëhet vlerësimi se kujt i takon statusi i partisë së parë të opozitës.

“PD në raport me koalicionin bashkë fitojmë është subjekti i tretë zgjedhor, problem është që numri i komisionarëve që caktohen nga partitë politike varen nga raporti i votave të partive politike dhe ajo që kundërshtoj unë është logjika mbi të cilën KQZ merr si të mirëqenë që të gjitha votat e koalicionit janë vota të partisë politike”, shprehet Rezart Kthupo, përfaqësues ligjor i PD-së.

Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit do të ndikojë gjatë në peshën ligjore të partive politike dhe garancitë që ofron kodi elektoral për to. Në raport me zgjedhjet e ardhshme parlamentare partia demokratike do të ruajë statusin e forcës kryesore të opozitës pasi si pikë referimi merren zgjedhjet e vitit 2021 kur demokratet nuk ishin përçarë. Por në raport me zgjedhjet lokale të vitit 2027, të gjitha përfitimet që lidhen me fondet e komsionerët i merr partia e lirisë pasi koalicioni “bashkë fitojmë” u rendit i dyti në betejën e 14 majit.

Pak ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi afatet e procedurave për zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit që do të mbahen më 24 Shtator. Partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje duhet që të regjistrohen në KQZ deri më datën 1 Shtator, ndërsa koalicionet kanë mundësi të regjistrohen deri më 6 Shtator. Kandidatët e pavarur mund të regjistrohen më 8 Shtator. Fushata zgjedhore për këto zgjedhje do të nisë më 11 Shtator.

Votuesit në Kukës do të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë, pas shkarkimit e arrestimit të Safet Gjicit, të cilit iu publikua një videoskandal ku ai shfaqet në zyrën e tij, në marrëdhënie intime me një vajzë.

PD e Bashës, me një anëtar për zgjedhjet në Kukës: Do ta ankimojmë!

Demokratët e Lulzim Bashës do ta ankimojnë vendimin e KQZ-së, sipas së cilës do të ketë një anëtar për zgjedhjet lokale në Kukës. Këshilltari Ligjor i PD dhe përfaqësues i PD në KQZ, Rezart Kthupi në një deklaratë për mediat foli për vendimin e KQZ-së për zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës, ku PD do të përfaqësohet vetëm nga 1 anëtar. Kthupi u shpreh se qëllimi i PD-së është mbrojtja e votave të qytetarëve, teksa shtoi se do të ankimojë vendimin. Sakaq, më tej ai tha se nëse zbatohet ligji, del kush është partia më e madhe opozitare në vend.

“Unë nuk kam detyrën për të numëruar votat e PL-së nuk erdhëm këtu për të thënë se kush është partia më e madhe e opozitës. Qëllimi është zbatimi i ligjit. Keni në dispozicion edhe formulën juridike për të marrë rezultatin e votave. Ne do ta ankimojmë vendimmarrjen pasi është qëllimi ynë që të mbrojmë votat dhe ato të mbeten në PD. Kemi për qëllim mos transferimin e votave të demokratëve”, u shpreh ai.

Kujtojmë se në Kukës Partia Socialiste do të ketë katër anëtarë në KZAZ, ndërsa Partia e Lirisë do të përfaqësohet nga dy anëtarë.