MENU
klinika

Ylli Pata

Naftë dhe politikë

25.08.2023 - 12:10

Italia është një prej vendeve e konsideruara më me pak burime natyrore në Europë. Ndërkohë që doli e rrënuar nga Lufta e Dytë Botërore, ajo nuk kishte as kolonitë e Francës në Afrikë, e as qymyrin gjerman për të arritur bumin ekonomik të viteve 60 të shekullit të shkuar. Enrico Mattei, një ish-partizan antifashist u ngarkua nga kryeministri Alcide de Gasperi që të shndërronte Agip-in famëkeq të kohës së Musolinit në një ent publik energjitik postfashist.

Mattei, arriti të krijonte ENI-n, sipërmarrjen publike energjitike italiane, e në pak vite e ktheu atë në një superfuqi, jo vetëm ekonomike. Mattei, pasi mori carta biancha nga qeveria, arriti të kryejë negociata me Bashkimin Sovjetik, por edhe në Lindjen e Mesme, duke future për herë të parë gazin e naftën ruse në Europën Perëndimore, përkatësisht në kampin e NATO-s, në kulmin e Luftës së Ftohtë. Operacionet e forta të kreut të ENI-t bënë që të thyhet për herë të parë pozita oligopol në Europë i të ashtuquajturave “Gjashtë Motrat” e hidrokarbureve që kishin në dorë tregun ndërkombëtar. Gjashtë motrat ishin: Anglo-Iranian Oil Company, Gulf Oil, Shell, Standard Oil of California, Standard Oil of New Jersey (Esso), Standard Oil of Neë York (Mobil) dhe Texaco.

Operacioni i ENI-it për të marrë naftë në mënyrë të pavarur nga BS dhe vendet arabe bënë që ekonomia italiane të ketë me shumicë lëndë të parë dhe me çmime të arsyeshme, duke bërë që vendi të gazifikohej në mënyrë të shpejtë.

Ndërkaq, fuqia e Matteit dhe ENI-it u rritën aq shumë sa ai quhej “shtet brenda shtetit”. Enrico Mattei humbi jetën në një aksident ajror në vitin 1962. Avioni që po e çonte nga Catania në Milano u rrëzua, e shumë besojnë se ai nuk ishte një incident, por një attentat. Gjithsesi fuqia politike influence e ENI-t vijoi për vite e vite. Përveçse kishte një gazetë të vetën Il Giorno, enti i energjisë paguante shuma të mëdha reklamash për të gjithë shtypin, duke krijuar kështu një ndërvarësi të dukshme. Indro Montaneli, disa herë ka akuzuar ENI-n se ka ndikuar në media për të bërë politikën dhe për të mbështetur politikanët që donte.

Një tjetër emër shumë i njohur është Romano Prodi. Ish-Drejtor i ENI-t gjatë fundit të viteve 80, ai arriti të bëhej dy herë kryeministër i Italisë dhe Kryetar i Komisionit Europian.

Në kohën që ENI drejtohej nga Prodi, në rajonin e Bazilikata-s, një nga terrtoret më të varfra të Italisë, u arrit të zbulohet një burim i rëndësishëm naftëmbajtës, poshtë masiveve malore të Apenineve. Në vitin 1989 u zbulua në fillim burimi i Tempa Rossa dhe më pas ai i Val D’Agri. Zbulimi nuk erdhi nga italianët e ENI-it por nga një kompani britanike-Enterprise Oil dhe kompania belge Fina. Më pas aksionet u blenë nga francezët e Total dhe Shell. E cila së bashku me ENI-n ndanë vendburimin e Val D Agrit.

Vetëm në vitin 2020, pas shumë e shumë provash, eksperimentesh, dyshimesh, u arrit të nxirrej naftë e cilësisë supër te lartë poshtë 6 mijë metrave.

Ky zhvillim super i bujshëm u shoqërua në një hesthje të plotë. As tam tame, as tapete të kuqe, as prerje shiritash.

Siç bën të ditur gazeta më e rëndësishme financiare e Italisë : Il Sole 24 ore, “E Hënë 14 dhjetor(2020), fuçi nafte: 43.809. E Mërkurë-16 dhjetor, fuçi naftë 34.700”. Sot thuhet se ka shkuar në 50 mijë fuçi në ditë. Siç dihet në puset e naftës nuk mund të ndalohet puna asnjë ditë për arsye teknike, e kështu për 365 ditë i bie 18 milionë e 250 mijë fuçi në vit. Vetëm për njërin nga dy burimet e Bazilikatës.

Ekspertët, tashmë e kanë të vërtetuar se depozita e Bazilikatës nën masivët e fortë shkëmbore vijon edhe në Shqipëri, përkatësisht në zonën e Shpiragut. Një e dhënë që nuk dihej sot. As në vitin 2019, por që në kohën e komunizmit.

Por askush nuk merrte mundimin që nxirrte naftë në atë thellësi, pasi kostot ishin të larta e teknologjia nuk bënte të mundur uljen e tyre.

Por gjithçka ndryshoi vitet e fundit, kur falë teknologjive të reja u arrit të shpohej dhe të nxirrej naftë edhe aq thellë. Rezultatet e burimeve të Bazilikatës kanë sjellë një ethe të arit të zi në Itali, çka ka shtuar shpresën edhe për krijimin e “sheikëve të rinj”. Por politika italiane kryesisht në kohën e qeverisë së 5 Stelle dhe PDI-së, kishte ndaluar me ligj kërkimin e naftës dhe gazit në shumë zona të Italisë. Kjo solli një trazirë të madhe politike, saqë Giorgia Meloni, akuzoi kundërshtarët se po mbështesin vende si Franca që merr naftën në kolonitë e tyre afrikane. Lobi industrialist mbështeti fuqishëm Melonin dhe bindi të ndjerin Silvio Berlusconi që të tërhiqej paksa, që të linte në ballë “gruan e shkurtër” nga mëhalla e Garbatella-s së Romës. E kështu Meloni, bën një super convention alla amerikane në kryqytetin financiar Italian-Milano, në krah të crème della crema të industrisë dhe financave së vendit. Fiton zgjedhjet bindshëm dhe pak më pas heq ndalimin e kërkimeve të naftës në të gjithë vendin. Përveç rajonit të Campagnas dhe Venetos, thuajse në të gjithë ka nisur shpimi për naftë e gaz. Ka shumë gjasa që të fillojnë edhe në dy rajonet ku aktualisht është ndaluar.

Të vijmë tek lidhja e depozitave të Bazilikatës me masivin e Shpiragut. Të dhënat e specialistëve shqiptarë ishin të sakta se në zonë ka një depozitë nafte, por që është shumë thellë, poshtë 5 mijë metrave. E si rregull sa më thellë të jetë depozita, aq më cilësore është ajo.

Në vitin 2001, “Oçidental Petroleum”, zbuloi zyrtarisht depozitën naftëmbajtëse, por arriti në përfundimin se nuk është rentabël nxjerrja e saj. Dhjetë vjet më parë,

Shell dhe Petronas morën leje për të eksploruar rreth malit të Shpiragut. U ngritën kështu Shpiragu 1, 2, 3 dhe 4, ku këta të fundit u udhëhoqën nga Shell. Në 2019 Shell bëri të ditur se ka arritur të zbulojë naftë, por nuk dha detaje nëse do të finacojë kërkimin, i cili donte fonde në shuma gjigante.

Ja ku jemi sot, ku Shell nuk e ndali punën, por publikisht përfaqësuesit e kompanisë së dytë në botë pas amerikanes Exon Mobile, bënë të ditur publikisht gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama në kantier, se nafta do të nxirret, si dhe do të rafinohet po aty, e më pas do të transportohet në depozita.

Zbulimi i Shell në 2019, alarmoi italianët, të cilët me anë të ENI-t hynë sërish në tregun shqiptar pas 20 vjetësh. ENI bëri kërkime në fushat e Adritik 2 e Adriatik 3, por pa arritur rezultat në fillim të viteve 90. Kompania shtetërore italiane fitoi garën për të bërë kërkime nafte dhe gazi në bllokun e Dumresë që në vitin 2019. Edhe pse morën të drejtën për kërkim, italianëve nuk po u jepej leja ambjentale nga qeveria shqiptare. Pas kësaj, nisën shkrimet në disa media të përtej detit duke bërtitur e akuzuar Tiranën. Insistimi i ENI për të marrë lejen ambjentale, ishte sinjal se edhe në Dumre ka naftë. Fakt që dihej nga specialistët tanë, por gjithashtu dyshohej se është thellë dhe kërkon kosto të lartë.

ENI e merr lejen ambjentale në vitin 2022, e që “rastisi” pikërisht kur Giorgia Meloni bëhet kryeministre e Italisë. E që atëherë Roma e Tirana, por edhe personalisht dy kryeministrat kanë një relacion entuziazmant. Disa media italiane, kur Meloni shkoi në Vlorë për pushime, e u hap historia e centraleve bërthamore, e cilësuan këtë një bombë tymuese, e thanë se u fol për naftën. Madje u ngrit pyetja se a po krijohej një pol energjetik Itali-Shqipëri për të rritur fuqinë e tij gjeopolitike në logjikën e fuqizimit të pasurive natyrore?

Ndërkaq, në Tiranë, që prej ditës së djeshme, ku Edi Rama tha se është gjetur naftë tashmë e s’ka dyshime, madje e cilësisë saudite, e që rezerva është e madhe, ka plasur një dualitet emocionesh. Gëzim e entuziazëm nga qarqe afër mazhorancës dhe pezm i madh, madje mërzitje të thellë në opozitë.

Ndërkohë që Tritan Shehu shprehu shumë ashpër inatin e tij për zbulimin e naftës, mediat dhe gazetarët pranë Berishës, po tentojnë të hapin idenë se sado që të dalë naftë asgjë nuk do të fitojnë shqiptarët. Por a do ta bënin këtë nëse do të ishte Sali Berisha-kryeministër, kur Petronas nisi shpimet në Shpirag? Do të kishte nisur festa me qejf e zijafete pa fund.

Vetëm rajoni i Bazilikatës, pra buxheti i qeverisë lokale, ku ndodhen dy burimet që konsiderohen homologe me Shpiragun do të përfitojë 2 miliardë euro prej taksave, kurse pjesën tjetër e merr qeveria qendrore. Ndërkaq, sipas modelit norvegjez, do të ketë investive massive në arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN