MENU
klinika

"Po bëni zhurmë për të hequr vëmendjen nga..."

Ndërtimi i “Malit të Tiranës”, Berisha reagon pas akuzave

07.08.2023 - 12:47

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pas akuzave të bëra prej dy ditësh, se djali i tij, Shkëlzen Berisha qëndron pas kullës së lartë që pritet të ndërtohet te Pallati i Kulturës në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha i cilësoi si shpifje këto akuza, duke hedhur poshtë  pretendimet se djali i tij qëndron pas këtij ndërtimi si dhe për akuzat e bëra se nuk ka lejuar deputetëet demokratë për të denoncuar këtë ndërtim, pasi një nga ndërtuesit e “Malit të Tiranës” ka financuar foltoren.

Ish-kryeministri theksoi se gjatë qeverisjes së tij ai nuk ka dhënë asnjë leje për asnjë kullë dhe ata që përpiqen t’ja atribuojnë atij këtë ndërtim, janë “shpifarakë”, të cilët po përpiqen që të heqin vëmendjen nga afera e inceneratorëve.

Gjithashtu, lideri i Partisë Demokratike i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të anulojë këtë leje.

“Shpifje dhe trillime nga kuzhina Fuga-Veliaj, Së pari, e gjithë përpjekja është të krijojë një zhurmë për të shuar flaktë e djegësit të Tiranës që nuk ekziston. Gjat qeverisjes së PD Sali Berisha nuk ka dhënë asnjë leje për asnjë kullë. Plani që ka miratuar këshilli në vitin 2012 ka qenë për ndërtimin e ndërtesave me lartësi 6 deri në 8 kate në të gjithë territorin e Tiranës.

Ata që përpiqen të më atribuojnë mua janë shpifarakë të mjerë.  Edi Rama paska dhënë leje për Shkelzen Berishën, duhet të bëhesh shpifës i kalibrit të Bolinos që të nxjerrësh shpifje të tilla. Megjithatë e ftoj Edi Ramën ta anulojë lejen. Së treti, PD deri sot me deklaratën e saj në të cilën paraqet çështjet e thella ligjore që ekzistojnë për atë ndërtim. Me pronarët e respektim të gjykatave te te tjera.

Pra përpiqesh të mbulosh me shpifje se kulla nuk është përmendur, këto janë gjëra të mjera, të dështuara skanë asnjë lidhje. Apo fajin e ka saliu për kullat, unë skam dhënë asnjë kulla dhe nuk do jepja asnjë. Përveç po të zgjidhej një zonë e pandërtuar ku mund të ndërtohet një kuantier i ri të cilin nuk do e kundërshtoj”, tha Berisha.

Më herët, në një reagim publik edhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, hodhi poshtë këto pretendime, si dhe i kërkoi Ramës që të revokojë lejen, ose ndyrshe sipas tij akuza nga mediat e financuara nga ai janë gënjeshtra.