MENU
klinika

"Po e respektojmë marrëveshjen e Bratislavës"

Osmani: Masat e BE-së dëmtojnë dialogun

15.08.2023 - 14:31

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është duke e zbatuar me besnikëri marrëveshjen e Bratislavës, sipas të cilës janë reduktuar forcat policore në dhe për rreth objekteve komunale në komunat veriore.

Presidentja Osmani thekson po ashtu se është duke u krijuar edhe baza ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna.

Megjithatë, ajo shprehet e habitur për masat e BE-së ndaj Kosovës të cilat i quan në disproporcion me veprimet e institucioneve të Kosovës.

E pyetur nga KosovaPress, ajo thekson se masat nuk janë përgjigje që nxisin bashkëpunimin dhe koordinimin, por që sipas saj më së shumti i bëjnë dëm procesit të dialogut.

“Përgjigja e BE-së nëpërmjet masave që ka miratuar ka qenë komplet disproprocionale me veprimet e institucioneve të Kosovës. Nuk është përgjigje që nxitë bashkëpunimin dhe koordinimin , përkundrazi është përgjigje e cila më së shumti i bën dëm procesit të dialogut që e qet komplet jashtë binarëve, ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë”, thekson Osmani.

Ajo më tej theksoi se masat e BE-së padrejtësisht janë vendosur ndaj Kosovës si rezultat fushatës dezinformuese masive kundër Kosovës.

Osmani gjatë vizitës në Dragash foli edhe për marrëveshjen e Bratislavës, që sipas saj është duke u krijuar baza ligjore për zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

“Në Bratislavë është arritur një marrëveshje që ka kërkuar masa të deeaskalimit nga Kosova. Vendi ynë është duke e respektuar me besnikëri atë marrëveshje. Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen që kërkon konsultim edhe me EULEX dhe me prezencën e NATO-s këtu. Në anën tjetër është duke u krijuar baza ligjore për zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore”, theksoi ajo.

Ndërsa, shtoi se përshtypja e saj është që në ditët e kur pati tensione në veri, shumë shtete e kanë trajtuar Kosovën sikur Kosova ta ketë pushtuar dikë.

Sipas saj, Kosova nuk ka pushtuar asnjë territor.

Ajo përsëriti thirrjen e saj që komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që të ndal presionin ndaj serbëve të Kosovës, dhe dhunën që përdoret nga strukturat ilegale në veri.