MENU
klinika

Durrës Yachts Marina i falen 325 mln euro nga trualli

Pronarët në Porto Romano shpronësohen me çmime 8 herë më të ulëta se tregu

13.08.2023 - 10:00

Shpronësimet për portin e ri në Porto Romano do të jenë me çmim 5 euro/m2. Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme pohojnë se çmimi i shpronësimeve është 8 deri në 16 herë më pak se tregu. Investitorit të Durrës Yachts Marina i falen 325 mln euro nga trualli. Inxhinierët e porteve thonë se për shkak të zonës kënetore dhe kostove të larta financiare ndërtimi i portit të ri është i pamundur

Çmimi mesatar për vlerën e tokës bujqësore që shteti përdor për shpronësimet e pronarëve, trualli i të cilëve preket nga ndërtimet e veprave publike është deri 10 herë më pak se çmimi real i pronës sipas drejtuesve të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

Të njëjta çmime për tokën nën nivelin e tregut, po zbatohen edhe për 309 pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga shpronësimet në zonën e Porto Romanos, ku do të realizohet projekti për portin e ri. Në këtë zonë do të zhvendoset porti aktual i Durrësit, pasi në atë zonë do të zhvillohet projekti “Durrës Yachts Marina” me apartamente dhe hotele. Sipas kërkesës për shpronësim publik nga Agjencia Shtetërore të pronarëve të pasurive pronë private, që preken nga realizimi i projektit të portit të ri në Porto Romano çmimi i tokës për shpronësim është përcaktuar 554 lekë apo 5 euro për metër katror.

Në një kohë kur sipas agjentëve të shitjeve të tregut imobiliar çmimi real i pronës në këtë zonë varion 35 deri 45 euro. Ndërsa shoqata “Pronësi për Drejtësi” thotë se ka raste që çmimi i truallit është shitur edhe 100 euro për metër katror. Me këto vlera të tregut çmimi i shpronësimit është 8 deri 19 herë më i ulët. Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare buxheti në total për shpronësimet në total do të jetë 821,3 milion lekëve apo 8 milionë euro për rreth 1,4 milionë metra katror tokë.

Për ekspertët çmimi i kompensimit të truallit jo vetëm është nën vlerën e tregut të shitblerjes së pasurive të paluajtshme, por konsiderohet i padrejtë, kur shteti për rastet e transaksioneve të shitjes së pronës arkëton 15% të vlerës, si tatim-fitim.

Arian Gjuzi agjent shitjes në një agjenci të pasurive të patundshme në qytetin e Durrësit pohoi për Monitor se çmimi maksimal i shitjes së truallit në Porto Romano arrin deri 45 euro për metër katror. “Situata është e ngjashme me ngjarjen e 13 viteve më parë, kur në Golem nis të ndërtohej rruga dytësore, Plepa-Kavajë. Tokat e pronarëve që u prekën nga zgjerimi i rrugës u kompensuan me 300 lekë apo 3 euro për metër katror, nga 100 euro për metër që ishte çmimi i truallit në atë periudhën.

Pra nëse një pronar do të shiste 1,000 metër katror truall në treg të lirë do t’i paguante shtetit taksën e tatim-fitimit 15% në vlerën e 15,000 eurove, ndërsa në rastin kur shteti të blen tokën të paguan 3,000 euro. Kjo është absurde! Pronarët e prekur nga ndërtimi i rrugës dytësore zhvilluan madje edhe protesta, por çështja e tyre nuk gjeti zgjidhje”.

Gjuzi thotë se aktualisht në zonën pranë të cilit pritet të zhvillohet projekti i portit të ri, nuk ka më toka të lira, pasi janë blerë për biznes, që do të shërbejnë për ngritjen e kapanoneve dhe magazinave të mallrave. Toka është blerë nga bizneset me çmim 20, 25 deri 30 euro për metër katror, ndërsa shteti ua blen me 5 euro për metër katror.

“Situata përsëritet sërish me një tjetër projekt, atë të ndërtimit të Portit të Ri në Porto Romano. Vlera maksimale e tokës në atë zonë arrin 35 deri në 45 euro për metër katror. Më herët toka është shitur me çmim 20, 25 deri 30 euro. Për shkak të zhvillimit që pritet të marrë zona, tashmë nuk ka hapësira më të lira për shitje.

Shumica e tokës është blerë nga bizneset për ngritje magazinash dhe kapananosh mallrash. Për atë pjesë të tokës të blerë nga bizneset që do të shërbejë për zhvillimin e portit të ri, shteti i shpronëson me 5 euro për metër katror. Toka e blerë vlerësohet si “arë”. Sërish është një situatë absurde”, nënvizon Gjuzi. Për kryetarin e shoqatës “Pronësi me drejtësi” Rreshit Vorpsi çmimi mesatar i tokës bujqësore në Shqipëri sipas hartës së vlerës së miratuar nga institucionet shtetërore është 200 lekë për metër, ndërsa çmimet reale janë 10 herë më të lartë.

Vorpsi pohon se çmimi e truallit pranë portit të ri ka arritur edhe deri 100 euro për metër katror. Ndërsa Tomi Spahiu prej 41 vitesh inxhinier portesh tha se çmimi i truallit në atë zonë për shkak të zhvillimeve që nga ndërtimi i autostradës dhe shërbimet portuale pritet të arrijë në 150 euro për metër katror.

Investitorit të projekti të “Durrës Yachts Marina” i falen miliona euro
Ndërsa pronarët në Porto Romano do të shpronësohen me çmimi prone 8 deri 19 herë më pak se çmimi i tregut, investitorit të projekti të “Durrës Yachts Marina” i konceptuar, si një projekt i integruar turistik që do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812,600 m2 në Portin e Durrësit si dhe në marinën e portit, sipas parashikimeve të marrëveshjes së miratuar në nëntor 2022 nga Kuvendi i Shqipërisë, do t’i vihet në dispozicion falas toka.

Sipas inxhinierit të porteve Tomi Spahiu me investimin e ri ku investitorit do t’i vihet në dispozicion falas trualli i portit për ndërtimin e projektit të pasurive të paluajtshme dhe baseni për ndërtimin e marinës, vlera reale e tokës llogaritet 300 deri 400 euro për metër katror, ndërsa vlera për përdorim është shumë herë më e lartë.

Sipas llogaritjeve me çmimin e truallit sipas vlerës reale që jep inxhinieri i porteve shteti i fal investitorit strategjik, që do të zhvillojë vetëm një projekt real estate të paktën 325 milionë euro.

“Për këtë ndërtim shteti i fal investitorit 81 ha tokë, pa asnjë lloj pagesë, ku vetëm për truallin në kalatën Lindore, ku pritet të nisin punimet për ngritjen e godinave të para të projektit real estate vlera e përdorimit është mbi 400 euro për metër katror. Nga ana tjetër shteti shqiptar ende nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga falja e truallit”, pohon Tomi Spahiu i cili ka punuar për periudhën nga viti ‘80 deri në ‘93 si inxhinier zbatimi në kalatën Lindore të Portit të Durrësit.

Në kalatën lindore aktualisht operon me koncesion për përpunimin e mallrave rifuxho me anije kompania gjermane EMS APO. Prej disa ditësh kompania gjermane që paguan qiranë e truallit dhe tarifën ndaj shtetit për shërbimin e koncensionit po përballet me presionin e institucioneve shtetërore për t’u larguar, pasi në 90% të truallit ku ajo operon do të nisin punimet për godinat e para të Durrës Yachts Marina./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rama në Durrës një ditë pas çeljes së fushatës

“Shndërrimi i Porto Romanos, ja pse na duhet mandati i tretë”

“Monaco duhet të na e ketë frikën”

Alabbar: Porti i ri i Durrësit nis në fillim të prillit