MENU
klinika

Mediat gjermane ngrenë alarmin

Putin po e përdor Vuçiç për të nisur luftëra të reja në rajon

04.08.2023 - 12:15

Moska përhap propagandën e saj me favorin e autoriteteve në Beograd. Mungesa e përgjigjes nga Perëndimi mund të çojë në luftë. Ky ka qenë alarmi i ngritur nga gazeta gjermane “Rheinische Post”. “Për momentin, Rusia është në mbrojtje në Ukrainë, por Kremlini ka armë të tjera në dispozicion për të rritur ndikimin e saj në mbarë botën”, vlerëson gazeta. Autori Martin Kessler shkruan se presidenti rus Vladimir Putin në skenën diplomatike po përpiqet me të gjitha forcat të fitojë mbi vendet që nuk janë deklaruar qartë në luftën e Ukrainës dhe se “makineria mediatike e Moskës po përhap propagandë me shpejtësi të plotë”. Siç shkruan ai, shembull për këtë është Serbia, kandidate për anëtarësim në BE. “Flukset tregtare me Perëndimin gjithashtu u intensifikuan. Rreth 60 për qind e aktiviteteve të tregtisë së jashtme të Serbisë zhvillohen me vendet e Bashkimit Evropian. Dy të tretat e të gjitha investimeve të huaja vijnë nga Evropa Perëndimore. Në vetëm dy dekada, Brukseli i ka transferuar Serbisë rreth tre miliardë euro ndihmë shtetërore, kryesisht nga arkat gjermane”, shkruan”Rheinische Post”.

Putin, “idhulli” i Vuçiç
Por, sado që Perëndimi të interesohet për Serbinë, “presidenti i tij Aleksandër Vuçiç udhëheq një politikë jo transparente, dhe midis aleatit tradicional të Rusisë dhe BE-së dhe SHBA-së, ai ndihet i lidhur ideologjikisht me Putinin”, vlerëson autori. Ai ndan ambiciet dhe ëndrrat e tij të mëdha për një perandori të madhe serbe”.”Vuçiç e sheh Putinin si një model,” citon Kessler gazetarin gjerman Thomas Bray, i cili, ka raportuar nga rajoni për agjencinë DPA për rreth 40 vjet dhe tani ka bërë gjithashtu një studim mbi ndikimin të mediave ruse në Serbi. Sipas atij studimi, shkruan gazeta gjermane, mediat në Serbi të kontrolluara nga Vuçiq janë tërësisht në kthetrat e propagandës ruse, e cila inkurajohet nga agjenci si Sputnik Serbia dhe RT Balkan. Dy të tretat e popullsisë së Serbisë informohen rregullisht nga këto burime. Dhe gazetat e përditshme dhe portalet online më të përhapura, të cilat, me disa përjashtime, janë miq të ngushtë politikë të Presidentit të Serbisë, i vlerësojnë edhe ngjarjet politike globale nga këndvështrimi i Kremlinit”, shkruan “Rheinische Post”.

Alarmi për Perëndimin
Mediat e kontrolluara nga shteti dhe ato nën ndikimin e Rusisë theksojnë veçanërisht rolin e “viktimës sllave”, vijon teksti. “Narrativa është se Perëndimi dëshiron që Rusia dhe aleatët e saj sllavë të jenë të dobët ose madje dëshiron t’i shkatërrojë ata, si dhe se luftërat e Moskës në Ukrainë dhe luftërat e Serbisë në territorin e banuar nga bashkatdhetarët në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë janë akte vetjake, mbrojtjeje dhe vetëpohimi. Bota perëndimore po zhytet në një moçal dekadence, e dominuar nga pop-kultura e cilësisë së ulët, feminizmi i panatyrshëm dhe qytetërimi globalist’, ndërsa qëllimi i Rusisë është të mbrojë vlerat sllave, të krishtera dhe tradicionale. Në atë përplasje të qytetërimeve’ Perëndimi do të humbasë”, shkruan media gjermane. Mediat kryesore serbe i ndjekin gjerësisht këto histori, shkruan “Reinische Post” dhe shton: “Ka raporte që Gjermania kërcënohet nga uria, ose se dollari amerikan dhe sistemi financiar janë në gjendje të keqe, në prag të kolapsit”. Sado që indoktrinimi në Serbi është i ekzagjeruar dhe klishe, ai sërish prek popullatën. Institutet e pavarura amerikane të sondazheve zbuluan se dy të tretat e serbëve e shohin Perëndimin si një luftënxitës në konfliktin në Ukrainë. Gjysma e shohin Moskën si partnerin e tyre politik dhe vetëm 30 përqind duan lidhje më të forta me vendet e BE-së. Politikani i huaj më popullor është Putin, i ndjekur nga presidenti kinez Xi Jinping.Teksti përfundon se Serbia është një vend i vogël që nuk mund ta sfidojë seriozisht Perëndimin, por se është në interesin e Moskës të prishë politikën e BE-së në Ballkan dhe të nxisë konflikte. Në fund, media gjermane përcjell edhe përfundimin e Bray-t. “Perëndimi duhet të zgjohet më në fund dhe të bëjë diçka për të kundërshtuar propagandën ruse në Serbi. Vetëm biznesi dhe diplomacia nuk do të ndihmojnë”, thotë ai.

Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin