MENU
klinika

Analiza

Rusia dhe Kina bashkojnë forcat, gati për “Ukrainën e dytë”

17.08.2023 - 10:57

“Ukraina sot, Tajvani nesër.” Këtë slogan e kemi dëgjuar shpesh që prej pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar. Megjithëse Tajvani është larg luftës, valët tronditëse ndërkombëtare arritën shpejt në ishull. Që kur Rusia nisi ofensivën e saj kundër Ukrainës, të gjithë duken të frikësuar për Tajvanin. Arsyeja përkon me rrezikun real ose të supozuar që Kina, herët a vonë, mund të imitojë atë që Kremlini është përpjekur të bëjë me Kievin, duke nisur pushtimin e një territori të ndjeshëm. Megjithatë, marrëdhëniet midis Federatës Ruse dhe Kinës duket se kanë tejkaluar të gjitha aspektet nivelin e lidhjeve strategjike, duke u bërë më shumë se aleatë. Të paktën, ky u duk se ishte mesazhi i fshehur i Ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, me siguri drejtuar Perëndimit. Dhe tani kjo aleancë “ngre alarmin” se Rusia mund t’i bëhet krah Kinës, në realizimin e ëndrrës së saj, pushtimin e Tajvanit.

Mesazhet për Perëndimin

Lufta por edhe boshti me Kinën dhe paralelizmi mes situatës në Tajvan dhe asaj që çoi në pushtimin e Ukrainës duket se ishin fokusi i Shoigu në Konferencën e Moskës për sigurinë ndërkombëtare. “Operacioni special ushtarak i dha fund dominimit të Perëndimit kolektiv në sferën ushtarake”, tha ministri i Vladimir Putin. “Aftësia e tij për të imponuar interesat e tij në rajone të ndryshme të botës është zvogëluar ndjeshëm. Ndryshimet e vazhdueshme kanë rritur rolin e vendeve të Azia, Afrika dhe Amerika Latine në sistemin botëror, edhe në përdorimin e burimeve natyrore për zhvillimin sovran të shteteve”, shtoi ai. “Është bërë e qartë se përdorimi i armëve perëndimore, metodat e supozuara të avancuara të NATO-s për planifikimin e operacioneve, metodat e komandës dhe kontrollit të trupave dhe trajnimit të tyre nuk mund të garantojë epërsi në fushën e betejës”, theksoi Shoigu.

Lufta për Tajvanin

Po ashtu, ai la të nënkuptuar se së shpejti mund të kemi një luftë në Azi. “Perëndimi po e përkeqëson situatën rreth Tajvanit. Ka një sërë ngjashmërish në metodat e punës që janë përdorur më parë për të minuar situatën rreth Ukrainës”, tha ministri, sipas të cilit përkeqësimi lidhet kryesisht me furnizimin me armë, rritjen e ndjenjave nacionaliste në media si dhe formimin e një elite sunduese antikombëtare dhe properëndimore. “Cinizmi qëndron në faktin se në të njëjtën kohë ka thirrje nga Uashingtoni për një dialog me Pekinin në nivele të ndryshme”, theksoi ai. Kujtojmë se, rreth një muaj më parë, Rusia dërgoi dy fregata për të lundruar nëpër ujërat pranë Tajvanit, në një lëvizje të rrallë që mund të rrisë më tej tensionet në rajon. “Ushtria kombëtare përdori metoda të përbashkëta të inteligjencës, mbikqyrjes dhe zbulimit për të kuptuar dinamikën e anijeve ruse gjatë gjithë procesit dhe dërgoi aeroplanë, anije dhe sisteme raketore të montuara në breg për të monitoruar nga afër reagimin”, thanë autoritetet tajvaneze. Ndërhyrja shumë e pazakontë ruse erdhi në një kohë të ndjeshme, duke pasur parasysh se Kina ka rritur presionin e saj ndaj Tajvanit. Edhe në qershor, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit gjurmoi tetë avionë ushtarakë kinezë dhe gjashtë anije detare rreth Tajvanit.

Sfida me Amerikën

Moska është bërë më e lidhur politikisht me Pekinin vitet e fundit, veçanërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin. Vetëm disa javë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në vitin 2022, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu Vladimir Putin deklaruan një miqësi “pa kufi” midis dy fuqive autoritare. Sipas CIA, Presidenti kinez Xi Jinping i ka thënë ushtrisë së tij për t’u përgatitur për një luftë të mundshme në 2027. “Kjo nuk do të thotë se ai ka vendosur të kryejë një pushtim në 2027 ose ndonjë vit tjetër, por është një kujtesë e seriozitetit të qasjes dhe ambicieve të tyre”, tha shefi i CIA-s në shkurt. Dhe mesa duket, Rusia do t’i japë një dorë “aleatit të saj”, ndonëse presidenti rus Vladimir Putin, ka mohuar se mes vendeve ka një aleancë ushtarake. Megjithatë, mbi të gjitha dy autokratët dhe dy vendet agresore, i bashkon dëshira për të rivalizuar peshën e Amerikës, dhe për të ndryshuar rolin e saj si hegjemon global.