MENU
klinika

Analiza

Putin, biletë vetëm vajtje për në Hagë

08.05.2024 - 08:30

Një vit pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, lëshoi një urdhër arresti për Vladimir Putinin, 44 vende kanë shprehur deri më sot mbështetjen për ngritjen e një gjykate speciale ushtarake për të gjykuar kriminelët rusë të luftës. Presidenti i ri i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Tomoko Akane, ka shprehur besimin se presidenti rus nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë dhe se Putin e ka shmangur udhëtimin në vendet ku ai mund të arrestohet.

Në intervistat me Swissinfo.ch dhe The Insider, ekspertët ligjorë të lidhur me GJNP dhe gjykatat e dikurshme ndërkombëtare, shprehen të bindur se koha për një gjykim të drejtë do të vijë, edhe pse jo menjëherë. Sipas tyre nxjerrja në gjyq e Putinit në gjyq do të jetë një mision i vështirë ligjor dhe logjistik, por që ata besojnë se është e realizueshme.

Carla del Ponte, kryeprokurore në dy gjykata ndërkombëtare: Ashtu si Miloseviç, Putin është sigurisht një kriminel lufte, dhe nuk mund t’i shmanget gjyqit

Vladimir Putin nuk mund t’i shmanget gjyqit përpara një gjykate ndërkombëtare, sepse Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka nisur tashmë një hetim për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Ukrainë nga ushtria ruse. Dhe Putini është sigurisht përgjegjës për këto krime.

Krimi më i rëndësishëm për të cilin mund të akuzohet është ai i agresionit, një krim i kryer nga një shtet ose individë në një konflikt të armatosur kundër një shteti sovran. Por ky është një krim, të cilin GJNP-ja nuk mund ta gjykojë sepse Rusia nuk ka nënshkruar Statutin e Romës, i cili përcakton përkufizimin e këtij krimi.

Ndaj komuniteti ndërkombëtar duhet të ngrejë një gjykatë speciale për Ukrainën. Nuk ka dyshim se Putin është një kriminel lufte. Unë shoh analogji me Slobodan Milosevic, ish-presidentin e Serbisë, që u gjykua në GJPN pse nuk parandaloi gjenocidin në Bosnje.

Kur Putini i quan ukrainasit terroristë, dhe mburret se po lufton ndaj terrorizmit, kjo është saktësisht e njëjta terminologji e përdorur nga Milosevic në vitet 1990. Që Putin të dalë para drejtësisë duhet plotësohen shumë kushte. Para së gjithash, duhej të vendoset paqja. Lufta duhet të përfundojë, por drejtësia mund të ecë përpara paralelisht me negociatat për paqen. Vetë drejtësia mund të promovojë gjithashtu paqen. Milosevic ishte ende president kur po zhvilloheshin bisedimet e paqes në fillim të vitit 1999 në Rambuje të Francës. Por ai nuk ishte aty. Pse? Sepse e dinte se ishte nën hetim ndërkombëtar, dhe ndaj tij mund të kishte një urdhër arresti.

Pra, ishte e qartë se hetimi kundër Miloshevic, lehtësoi bisedimet për një marrëveshje paqeje.

A mund të përdorim termin “gjenocid” për të përshkruar vrasjen e ukrainasve nga ushtria ruse? Ekziston një përkufizim shumë i saktë i këtij termi. E drejta ndërkombëtare është shumë specifike për këtë:për të kryer një gjenocid, duhet të tregosh qëllim dhe vullnet.

Dhe ky është një krim shumë kompleks për t’u hetuar. Unë nuk do t’i përdorja këto terma për luftën në Ukrainë. Ndërkohë, krimi i agresionit tashmë është provuar dhe nuk kërkon asnjë provë përtej fakteve që kemi tashmë.

Irwin Cotler, ish-avokat i Nelson Mandelës: Rusia është në shkelje të vazhdueshme të Konventës kundër Gjenocidit

Putini nuk ka imunitet diplomatik për krimet ndërkombëtare të luftës dhe krimet kundër njerëzimit nën juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Por ajo që nevojitet në këtë pikë, është një gjykatë e pavarur ndërkombëtare për krimin e agresionit, pasi ky krim nuk ndiqet penalisht sipas ligjit ekzistues.

Dikush mund të bëjë paralele me Bashar Al-Assadin. Në të dy rastet, komuniteti ndërkombëtar pranoi kulturën e kriminalitetit dhe mosndëshkimi. Për shembull, komuniteti ndërkombëtar nuk ndërhyri kur Rusia sulmoi Çeçeninë, pushtoi Gjeorgjinë, aneksoi Krimenë dhe bombardoi Sirinë.

Putini mund të ketë menduar se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë asgjë në secilën nga këto raste, atëherë pse duhet të shqetësohej nëse Rusia pushtonte Ukrainën? Sot Rusia është në shkelje të vazhdueshme të Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit në 3 fusha.

Së pari, për nxitjen e saj të drejtpërdrejtë dhe publike për gjenocid, një shkelje e vazhdueshme e Konventës, pavarësisht nëse pasojnë apo jo akte gjenocidi. Së dyti, synimi për gjenocid mund të vërtetohet nga planifikimi dhe ekzekutimi i mizorive masive nga Rusia.

Së treti, krimi i agresionit, nxitja e drejtpërdrejtë dhe publike për gjenocid, dhe mizoritë masive, kanë krijuar rrezikun e gjenocidit. Ndaj shtetet palë në Konventën e Gjenocidit janë të detyruara të parandalojnë dhe mbrojnë viktima të mundshme.

Në një botë ideale, ne do të siguronim drejtësi për viktimat dhe ndëshkim për autorët. Në botën tonë, ka disa nisma që po i ndjekim dhe të tjera që duhen ndjekur. Këto përfshijnë nismën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm, i ka bërë thirrje Rusisë të heqë dorë nga aktet e saj të agresionit dhe të tërhiqet nga Ukraina.

Së dyti, janë hetimet në vazhdim për ndjekjen penale të mundshme në GJNP. Së treti, ndjekjet penale sipas parimit të juridiksionit universal; së katërti, ndjekjet penale të vazhdueshme nga vetë Ukraina. Së fundmi, ngritja e një gjykate të pavarur për ndjekjen penale të krimit të agresionit, e cila tani nuk është nën juridiksionin e asnjë prej qasjeve ekzistuese.

Avokati Philippe Currat: Mënyra e vetme për ta ndjekur penalisht Putinin, do të jetë pasi të mos jetë më president

Meqenëse është kreu i shtetit, ai duhet të jetë objektivi i çdo procesi. Putin ka fuqinë vendimmarrëse. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme për atë që po ndodh. Megjithatë të flasësh për momentin për ndjekjen penale është pak fantazi. Statuti i GJNP përcakton se nuk ka imunitet për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Ndaj shtetet që kanë ratifikuar Statutin e Romës, kanë rënë dakord të heqin dorë nga ky imunitet për autoritetet e tyre më të larta. GJNP mund të ndjekë penalisht vetëm krerët e shteteve, qeverive ose ministrat e jashtëm të vendeve që janë palë në Statutin e Romës.

Rasti i vetëm që ka ndodhur deri më tani është ai i Sudanit, me aktakuzën kundër presidentit të atëhershëm Omar Al-Bashir për krimet në Darfur. Por ai u gjykua pasi e humbi pushtetin. Pra, e vetmja mënyrë për të ndjekur penalisht Putinin sot, ose për shembull Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, do të ishte nëse ata nuk janë më në postet e tyre. Atëherë, cilat janë shanset që Putini të dalë para drejtësisë në të ardhmen e afërt?

Për vite me radhë njerëzit thoshin për ish-presidentin serb dhe jugosllav Slobodan Milosevic: ”Është e pamundur, s’do ta nxirrni kurrë në bankën e të akuzuarve!”. Por një ditë e humbi pushtetin, e arrestuan, e transferuan në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë dhe u gjykua.

Vendimtar do të jetë përcaktimi i fakteve në terren. Duhet të përcaktohet nga erdhi raketa që ra mbi një shkollë, një maternitet, një spital, që vrau civilë dhe shkaktoi dëme të dokumentueshme. Pasi të jetë identifikuar njësia përgjegjëse, mund të identifikohet zinxhiri i komandës mbi të, dhe të shihet se sa larg mund të shkohet për të përfshirë edhe përgjegjësinë e mundshme penale të eprorit.

Shumë gjëra do të varen nga niveli i provave që mund të mblidhen. Krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidi, janë vepra penale shumë komplekse. Është e qartë se këto krime shkaktojnë një numër të madh viktimash. Por shpeshherë harrohet se ato janë rezultat i një numri të madh aktesh të kryera nga një numër i madh njerëzish.

Që të akuzosh dikë për gjenocid, duhet të ketë prova të qëllimit për të asgjësuar të gjithë ose një pjesë të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar si i tillë. Nëse nuk është kështu, nuk ka gjenocid, sado njerëz që mund të vdesin.

Ukraina ka bërë thirrje prej më shumë se një viti për krijimin e një gjykate speciale për të gjykuar krimet ruse dhe autorët përgjegjës. Personalisht nuk jam pro kësaj. Ukraina ia referoi çështjen GJNP-së që në vitin 2014, duke njohur juridiksionin e saj. Ndaj shtimi i një lojtari tjetër mund të çojë në një konfuzion të plotë./