MENU
klinika

Nga shtëpitë tek dyqanet dhe parkimet e hapura

Sa rriten detyrimet për taksën e ndërtesës

26.08.2023 - 10:16

Ndryshimet e vendimit të 2018-s të botuara në fund të muajit korrik 2023 që hynë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare rritën çmimet fiskale të apartamenteve për 32 zonat kadastrale të Tiranës nga 5 deri 76%.

Ndërsa për 5 njësitë administrative, si: Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Pezë çmimet fiskale u shtuan nga 29 deri 60% më shumë se 2018. Për 67 bashkitë e tjera të vendit çmimet e referencës së apartamenteve mbetën të pandryshuara.

Rritja e çmimeve fiskale do të sjellë automatikisht rritje të pagesës vjetore të taksës së apartamenteve, të njësive tregtare dhe ndërtesave të tjera, pasi taksa llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit.

Për të dyja kategoritë pushteti vendor e llogarit vlerën e ndërtesës (si për banim dhe për aktivitet tregtar) sipas çmimeve të referencës.

Për shtëpitë e banimit niveli i taksës është 0,05% e vlerës, ndërsa për njësitë tregtare 0,2%. Tirana është e ndarë në 32 zona kadastrale, si dhe 13 komuna jashtë qytetit, të cilat pas ndryshimeve të ligjit për autonominë vendore njihen si njësi administrative.

Rritja më e lartë ishte në zonën kadastrale 7/4, (Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht) me 76% dhe në vlerë me 49,300 lekë për metër katror.

Sakaq zonat me çmimet më të larta të referencës vijojnë të mbetet ajo e ish – Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1. Në 2018 çmimi fiskal i kësaj zone ishte 190,000 lekë për metër katror.

Me ndryshimet e fundit çmimi arrin në 228,400 (rritet 38,400 për metër katror apo 20%). Rritje të lartë pati edhe në zonat kadastrale 8/2 (Medreseja, Farmacia nr.10, Tregu Industrial). Në vlerë çmimi referencë është rritur 56,700 lekë/m2. Në zonën kadastrale 10/1 (PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve) çmimi u rrit 47,800 lekë për metër katror.

Sipas llogaritjeve të Monitor (duke marrë shembull një apartament me sipërfaqe 90 m2) individëve nga ndryshimi i çmimeve fiskale u rritet pagesa vjetore e taksës nga 5% deri në 76%. P.sh për zonën e ish Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1, vlera e një apartamenti me sipërfaqe 90 m2x190,000 lekë/m2 çmimi fiskal i vitit 2018 është 17,100,000 lekë.

Taksa e pasurisë që paguhej në 2018 ishte 8,850 lekë në vit. Çmimi fiskal referencës për këtë zonë u rrit 20%, duke arritur në vlerën e 228,400 lekëve për metër katror. Taksa vjetore në vlerë do të jetë 1,728 lekë më shumë në vit apo 20% më e lartë.

Për bizneset, pagesat në Tiranë rriten nga 5 deri 91%. Formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit, ndërsa vlera e dyqanit në Tiranë llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.

Për qytetet e tjera, çmimi i vlerës së dyqaneve është 1,5 herë më shumë se çmimi për metër katror i apartamenteve. Për bizneset e rretheve niveli i taksës së ndërtesës nuk ndryshon, pasi nuk kanë ndryshuar çmimet e referencës, mbi bazën e të cilës llogaritet vlera e ndërtesës.

Konkretisht nëse një pronar dyqani me sipërfaqe 100 metër katror me vendndodhje në zonën kadastrale 1/1 (Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit) ku çmimi i referencës me vendimin e vitit 2018 ishte 97,700 lekë për metër katror paguante në vit taksë për ndërtesën 39,080 lekë (97,700x2x100 m2 vlera e dyqanit është 19,540,000 lekë.

Taksa që paguhet është sa 0,2% e vlerës së dyqanit e llogaritur sipas dyfishit të çmimit fiskal të apartamenteve për zonën kadastrale 1/1 ku ndodhet edhe ndërtesa e biznesit).

Me rritjen e çmimeve fiskale, konkretisht në zonën kadastrale 1/1 çmimi i referencës për 2023 është 102,800 lekë për metër katror, biznesi do të paguajë 41,120 lekë në vit taksë. Krahasuar me më parë taksa është shtuar në vlerë 2,040 lekë në vit apo 5% më shumë.

Ndërsa një familje që zotëron një apartament me sipërfaqe 90 metër katror në zonën kadastrale 1/1 (përfshin zonat nga Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë deri te Depo e Ujit) nga 4,396 lekë në vit që paguante taksë për ndërtesën do të paguajë 4,626 lekë në vit. Pra taksa në vlerë i shtohet 230 lekë në vit apo 5%. Krahasuar me pagesat e biznesit ato janë 9 herë më të ulëta.

Ndërsa për ndërtesat e bizneseve rritja më e lartë e pagesës vjetore të taksës do të jetë në zonën kadastrale 7/4, (Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht) ku edhe çmimet referuese të apartamenteve u rritën 76% krahasuar me nivelet e vitit 2028. Sipas llogaritjeve të Monitor nëse një biznes posedon një dyqan në këtë zonë me sipërfaqe 100 m2 katror, pagesat vjetore do t’i rriten 23,800 lekë në vit apo 91%.

Me taksimin e ri për ndërtesat në vitin 2018 qeveria përfshiu edhe garazhet dhe bodrumet e mbyllura. Taksa për garazhet dhe bodrumet është 0,2% e vlerës. Vlera e tyre llogaritet sa 70% e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

Pagesat vjetore të taksës së ndërtesës për parkimet e mbyllura dhe bodrumet do të rriten nga 2 deri në 78% për 32 zonat kadastrale të Tiranës.

Sipas llogaritjeve të Monitor, pronari i garazhi apo bodrumi me sipërfaqe 50 m2 në zonën kadastrale 1/2 ( përfshin zonat nga Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, Lana Bregas, Linzë, Sauk) më përpara paguante në vit 5,460 lekë në vit. Me rritjen e çmimit fiskal të zonës pronari i garazhit do të paguajë 6,804 lekë taksë në vit. Pagesat i shtohen në vlerë 1,344 lekë në vit apo rreth 25%.

Rritja më e ulët e pagesave vjetore të taksës së ndërtesës për garazhet dhe bodrumet do të jenë në zonën fiskale 2/1 (përkon me zonat Piramida, stadiumi “Qemal Stafa”), ku çmimet e referencës nga 187,000 lekë për metër katror arritën në 202,400 lekë për metër katror (rritja 8%).

Një pronar bodrumi apo garazhi në këtë zonë me sipërfaqe 50 m2 nga 13,090 lekë që paguante në vit do të paguajë 14,168 lekë (rritja 2%).

Ndërsa rritja më e lartë e pagesave do të jetë në zonën kadastrale 7/4. Pagesat vjetore për taksën e ndërtesës parkim i mbyllur apo bodrum nga 4,550 do të arrijnë në 8,001 lekë. Detyrimi rritet 78%.

Detyrimet për taksën vjetore të ndërtesa do të rriten edhe për pronarët e fabrikave prodhuese, depove magazinave dhe atyre të parkimeve të hapura.

Pavarësisht se metodologjia e për llogaritjen e taksës së ndërtesës për fabrikat, depot, magazinat dhe objektet e tjera të ngjashme, është 50 % e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse sipas qyteteve detyrimet për 2023 do të jenë me rritje nga 5 deri 76%. Sipas llogaritjeve të Monitor për një magazinë, depo apo fabrikë me sipërfaqe 100 m2 në tiranë pagesat vjetore në vlerë do të rriten nga 572 lekë deri 4,780 lekë në vit.

Konkretisht një pronar që disponon një magazinë apo depo me sipërfaqe 100 m2 katror në zonën kadastrale 4/1 (Kompleksi i spitaleve, SHIK, Oxhaku, Allias i ri, fshati Tufinë) me llogaritjet sipas vendimit të vitit 2018 detyrimi vjetor ishte 7,000 lekë në vit. Me rritjen e çmimit fiskal të apartamenteve të kësaj zone nga 70,000 lekë për metër katror në 90,500 lekë për metër katror detyrimi vjetor do të jetë 9,590 lekë në vit. Rritja në vlerë është 2,590 lekë apo 37%.

Si për ndërtesat e banimit, ashtu edhe për dyqanet, garazhet edhe në rastin e ndërtesave të kategorisë për përdorim industrial rritja më e lartë e detyrimit për t’u paguar me taksën e pasurisë është në zonën 7/4 ( Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht) ku është shënuar rritja më e lartë e çmimeve fiskale. taksa e ndërtesës llogaritet mbi vlerën e pronës, ku pavarësisht kategorisë së saj baza janë çmimet e referencës së apartamenteve.

Në Tiranë çmimet janë të ndara në 32 zona kadastrale. Rritja e detyrimeve është më e vogël si për ndërtesat e banimit edhe ato të biznesit te zona 1/1 (Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit) ku shënohet rritja më e vogël e çmimeve fiskale rreth 5%.

Sakaq detyrimet do të rriten edhe për pronarët e parkimeve të hapura deri në 76%. Prej 2018-s në taksimin e ri është përfshirë edhe kjo kategori. Vlera e parkimit llogaritet sa 30% e çmimit të referencës së apartamenteve.

Pronari i një parkimi të hapur në zonën e ish Bllokut apo të zonës kadastrale 5/1 nga 26,600 lekë që paguante në vit, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të referencës do të paguajë 31,976 lekë në vit. Shtesa në vlerë llogaritet 5,376 lekë apo 20%./Monitor