Pozitat e Alqi Bllakos po rëndohen në raport me aferën e inceneratorëve. “News24” ka zbuluar se nga hetimet që SPAK po kryen e inceneratorin e Tiranës, familjarët e afërt të Alqi Bllakos kanë përfituar 119 mijë euro makineri në funksion të biznesit të tyre.
Në dokumentin e siguruar nga News24 shkruhet se Alqi Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri vlerën prej rreth 120 000 euro, me qëllim favorizimin për dhënien e koncesionit shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B. V.”, ku Zoto dhe Mërtiri sipas SPAK janë pronarë de facto.
SPAK thotë se këtë përfitim të parregullt Alqi Bllako e ka siguruar në mënyrë të tërthortë nëpërmjet Klodian Zotos, i cili përmes bashkëshortes së tij ka kryer 119,755 euro pagesa për blerjen e një linje teknike për mbushjen, mbylljen, vulosjen dhe certifikimin e shisheve dhe makineri për gazifikim e pijeve. Makineritë kanë qenë porositur për llogari të Edmond Bllakos, i cili zotëronte një biznes privat në fushën e prodhimit të birrës në qytetin e Ersekës.
Pagesat janë bërë për një kompani italiane tek e cila u ble makineria e mbushjes së shisheve të birrës.
Faturat janë likuiduar para dhënies se koncesionit në fund të 2016, dhe korrik të 2017 nga shoqëria Artemis Farm”, e cila aktualisht ka emrin tregtar “Artkon SHPK”, dhe që është në pronësi të Ilsa Zotos, bashkëshorte e Klodian Zoto.
SPAK ka administruar si prova email-et e zbuluara në kompjuterin e Klodian Zotos, ku rezulton se Alqi Bllako ka komunikuar me bosët e inceneratorit të Tiranës, Zoto Dhe Mërtiri për blerjen e makinerive në fjalë gjatë kohës gjë zhvillohej procedura për dhënien e koncesionit të inceneratorit të Tiranës.