MENU
klinika

Zbulohet droni i ri që do të shkatërrojë anijet ruse

Si Ukraina po “ndryshon lojën” në Detin e Zi

01.08.2023 - 08:24

Ukraina ka zbuluar publikisht dronin e saj të ri detar për herë të parë, në një përpjekje për të kufizuar operacionet e flotës ruse në Detin e Zi.

“CNN”, i ka dedikuar një artikull dronit, i cili është krijuar për të sulmuar anijet në flotën ruse. Ai mbart qindra kilogramë eksploziv dhe mund të godasë një objektiv 800 kilometra larg.

Droni, i cili është projektuar dhe prodhuar në Ukrainë, kontrollohet nga distanca dhe mund të përdoret gjithashtu për zbulim dhe vëzhgim.

Piloti i dronit i tha “CNN” se ai ishte i lehtë për t’u përdorur dhe se ishte i suksesshëm në kufizimin e lëvizjeve të Marinës ruse. Një ekspert dronesh tha për “CNN” se mbrojtja e Rusisë është joefektive kundër dronëve, sepse anijet e saj janë të dizajnuara për të sulmuar anije të tjera dhe jo objektiva më të vegjël.

“Ata janë më të shpejtë se çdo gjë tjetër në Detin e Zi”, pretendon prodhuesi i tij. Aftësitë e dronëve u panë edhe gjatë sulmit të fundit në urën e Krimesë.

Ura afërsisht 19 km e gjatë është një rrugë kryesore furnizimi midis Rusisë dhe Krimesë, një gadishull i aneksuar në 2014. Ukraina përdori dy nga dronët e saj detarë për të goditur urën, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Megjithatë, nuk dihet ende se sa drone të rinj ka ndërtuar Ukraina apo sa të tjerë planifikon të ndërtojë.

Dronët kanë luajtur një rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe janë dëshmuar të paçmueshme për të dyja palët. Ata i siguruan Kievit dhe Moskës aftësi zbulimi dhe sulmi dhe i përdorën ato për gjithçka, nga zbulimi i artilerisë deri tek goditja e infrastrukturës civile.

Madje, ndikimi i dronëve luftarakë ka bërë që Rusia të nisë të trajnojë fëmijët e shkollave për të operuar me ta, siç raportoi më parë “Insider”.