MENU
klinika

Abuzim me fondet e shtetit

Skandali në MINT, pranga dy zyrtarëve në Kosovë

19.08.2023 - 08:26

Policia e Kosovës ka arrestuar këtë premte dy zyrtarë të shtetit pasi akuzohen për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Mësohet se pas bastisjes në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrjes në Kosovë, në pranga janë vënë drejtori i Departamentit për rezervat shtetërore, Hafiz Gara dhe drejtori i departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica.

Gjithashtu, sipas medieve të kosovës policia ka kryer kontrolle dhe në restorantin “Bukë e Zemër”, i cili është në pronësi të Ridvan Muharremi. Ky i fundit është raportuar nga mediet e kosovës si njeri i afërt me kryeministrin Albin Kurti.

Disa ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës nisi një hetim për një mungesë të rezervave të grurit dhe të vajit në vend. Nga ky hetim, rezultoi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka paguar 10 milionë euro për blerjen e grurit, vajit dhe disa produkteve të tjera, ndërkohë ku rreth 300 mijë litra vaj nuk kanë ardhur nga kompania polake.

Gjithashtu, pjesë e hetimit është edhe keqpërdorimi i fondeve për furnizimin me grurë. Sipas medieve, akuzat lidhen me kryerjen e një pagese për rreth 9 ton grurë për rezervat shtetërore, sasi kjo e cila nuk erdhi kurrë në Kosovë.