MENU
klinika

Rekomandojmë edhe Ksamilin!

Turistët e huaj të mrekulluar me Vlorën

02.08.2023 - 09:35

 

Ndonëse temperaturat janë të larta, turistët thonë se ishte një vend që ja vlente për t’u vizituar. Ata veçojnë edhe jetën e natës në Vlorë.

 

“Është hera e parë që vijmë në Vlorë, erdhëm mbrëmë dhe është me ët vërtetë një qytet i bukur me plazhe të bukura dhe me njerëz të dashur. Gjatë mbrëmjes gjallërohet dhe na pëlqen shumë.

Këtu në Vlorë është shumë bukur. Bëmë një udhëtim me anije turistike dhe pamë plazhe shumë të bukura edhe pse temperaturat janë shumë të larta.

Po temperaturat janë shumë të larta sot dhe ja vlente të ishe këtu në anije. Njerëzit në anije ishin të gjithë duke kërcyer, të gjithë po argëtoheshin. Pra, ishte vendi i duhur për t’u vizituar.

Unë quhem Simon dhe jam nga Austria. Kam ardhur prej dy ditësh. Është shumë vapë tani dhe u kënaqëm shumë gjatë udhëtimit me varkë. Pata një udhëtim të këndshëm dhe ishte një ditë e mrekullueshme”, thonë turistët.

Dy turistë italianë përveç Vlorës, sugjerojnë që të vizitohet dhe Saranda me Ksamilin. Ndërsa nuk mund të linin pa përmendur edhe mikpritjen e shkëlqyer të shqiptarëve.

“Përshëndetje, kam ardhur para dy ditësh në Shqipëri dhe jemi në këtë plazh të bukur. Mikpritja e shqiptarëve ka qenë e shkëlqyer, po ndihemi shumë mirë. Udhëtimin do ta vazhdojmë duke zbritur drejt jugut, duke shkuar në Ksamil, më pas në Berat dhe kthehemi në Tiranë, ku do të qëndrojmë 4-5 ditë të tjera dhe udhëtimi do të përfundojë këtu.

Në Vlorë është shumë bukur, plazhet janë shumë të bukura, po ju rekomandoj të vizitoni Ksamilin dhe Sarandën, pasi plazhet atje janë një parajsë”, thanë ata.

Ka qenë kryeministri Edi Rama që ka ndarë përshtypjen e turistëve të huaj mbi Vlorën, ndërsa shkruan se qyteti bregdetar po pret vizitorë nga e gjithë Europa.

“Mirëmëngjesi dhe me përshtypjet nga Vlora, e cila këtë verë po pret turistë nga e gjithë Europa, të befasuar prej mikpritjes, detit, por edhe plazheve sekrete të zbuluara gjatë udhëtimeve magjike me anije, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.