MENU
klinika

Varhelyi: Në tetor propozime të guximshme për zgjerimin e BE-së...

A është i mundur integrimi i vendeve të Ballkanit brenda 2030-ës?

01.09.2023 - 17:14

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, është shprehur se objektivi i Michel për vitin 2030 është i realizueshëm, po theksoi se nuk duhet të insistohet në një afat kohor specifik.

Komentet Varhelyi i bëri teksa u pyet nga EURACTIV, ku tha se zgjerimi i BE-së deri në vitin 2030 është i realizueshëm, por vetëm nëse kandidatët dhe vetë blloku “dyfishojnë përpjekjet e tyre”.

Ai shtoi se Komisioni Evropian planifikon të bëjë “propozime thelbësore” në tetor.

“Pyetja ka qenë gjithmonë: A duam ta bëjmë? Dhe është hera e parë që dëgjoj nga Këshilli Evropian se ata duan ta bëjnë këtë, është një zhvillim i mirëpritur,” tha Várhelyi për EURACTIV në margjinat e një takimi jozyrtar të ministrave të punëve të Jashtme të BE-së në Toledo, Spanjë.

Komentet e tij erdhën pasi Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në fillim të kësaj jave sugjeroi që Ballkani Perëndimor dhe vendet e tjera kandidate në BE, si dhe BE-ja duhet të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030.

“Nuk mendoj se është çështje datash. Është një çështje e vullnetit politik”, tha shefi i zgjerimit të BE-së.

“2030 është sigurisht e realizueshme, por që kjo të ndodhë do të thotë që të gjithë ne, të gjitha institucionet e BE-së, të gjitha vendet anëtare dhe të gjitha vendet candidate, do të duhet të dyfishojmë përpjekjet për të arritur atje”, tha ai.

Sipas shefit të zgjerimit të BE-së, kjo “do të thotë gjithashtu se BE duhet të përshpejtojmë përpjekjet e tyre për reforma”.

‘Propozime thelbësore’ në tetor

Várhelyi njoftoi se në tetor, kur Komisioni Evropian pritet të paraqesë raportet e tij vjetore të progresit për të gjitha vendet në procesin e anëtarësimit në bllok, ekzekutivi i BE-së do të dalë me “propozime thelbësore”.

“Ne jemi gati të dalim përpara edhe me propozime të guximshme, të reja dhe me ide të reja”, tha Várhelyi.

Sipas Várhelyi, planet do të përfshijnë kryesisht një ‘Plan të Rritjes’, tashmë të paraqitur nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në maj, me të cilin BE kërkon të rrisë investimet në Ballkanin Perëndimor, gjithashtu për të lehtësuar ndikimin ekonomik të luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Ky plan do të përshpejtojë jo vetëm integrimin institucional, por edhe real të këtyre vendeve në BE,” tha Várhelyi.