MENU
klinika

Vrasje të mbetur në tentativë

Arrestohet një 30-vjeçar në Vorë, një tjetër në kërkim

05.09.2023 - 13:01

Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë është arrestuar në Vorë.

Në kërkim është edhe një tjetër 27-vjeçar E.L i cili ka përkrahur autorin e krimit për moskallëzim krimi.

30-vjeçari Arian Armani alias Eljfat Saljiu nga Shkodra ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Shkodër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Në aksin rrugor Fushë Krujë – Vorë, policia i ka bërë shenjë ndalimi automjetit të dyshuar me drejtues shtetasin E. L., dhe pasagjer shtetasin Arian Armani alias Eljfat Saljiu, por drejtuesi i tij nuk i është bindur urdhrave dhe ka vijuar lëvizjen në drejtim të Vorës. Gjatë ndjekjes, nga automjeti ka zbritur Arian Armani alias Eljfat Saljiu, ndërsa drejtuesi i automjetit së bashku me automjetin janë larguar.

Arian Armani alias Eljfat Saljiu, ka tentuar të largohet dhe të fshihet në ambientet e një hoteli në Vorë, por menjëherë, është bërë kapja e tij në ambientet e hotelit. Gjatë kontrollit në ambientin e hotelit, ku 30-vjeçari ka tentuar të fshihej, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Vijon puna për kapjen e 27-vjeçarit t E. L. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.