Dr. Frank Rubio, astronauti i parë amerikan që jetoi në hapësirë vazhdimisht për më shumë se një vit, është kthyer në Tokë. Ai kaloi 371 ditë në International Space Station (ISS), duke kaluar dhe qëndrimet gati njëvjeçare të astronautëve Mark Vande Hei (355 ditë) dhe Scott Kelly (340 ditë).
Ky udhëtim zgjati pothuajse dy herë më tepër se sa ishte planifikuar fillimisht. Rubio, së bashku me kozmonautët rusë Sergey Prokopyev dhe Dmitri Petelin, u ulën në Kazakistanin rural më 27 shtator. Ata u nxorën nga kapsula e tyre Soyuz dhe nuk ishin në gjendje të ecnin për shkak të qëndrimit të tyre për një periudhë të gjatë në mikrogravitet.
Rubio, Prokopyev dhe Petelin mbërritën në ISS në bordin e një kapsule Soyuz më 21 shtator 2022. Ata do të ktheheshin në Tokë më 28 mars, por iu desh të qëndronin në hapësirë pasi anija e tyre kozmike u godit nga një pjesë e mbeturinave hapësinore ose meteoroid në dhjetor 2022, duke shkaktuar kështu një rrjedhje të pakontrolluar të radiatorit. Kapsula e pariparueshme u kthye në Tokë dhe u zëvendësua nga një kapsulë tjetër pa ekuipazh në shkurt, të cilën treshja e përdori për t’u kthyer në shtëpi.
Por qëndrimi i zgjatur i Rubios ofron një mundësi për të mësuar më shumë rreth fluturimeve për periudha të zgjatura në hapësirë. “Thyerja e rekordit nga Frank për kohën e kaluar në hapësirë nuk është vetëm një moment historik; është një kontribut i madh për të kuptuarit tonë të misioneve hapësinore me kohëzgjatje të gjatë,” tha administratori i NASA-s Bill Nelson në një deklaratë.
Do të jetë veçanërisht interesante të shihet se sa mirë Rubio përshtatet me jetën në Tokë. Koha e zgjatur në hapësirë mund të shkaktojë degjenerim të muskujve, humbje e masës së kockave, shikim dhe ekuilibër të dëmtuar, madje mund të ndryshojë formën e trurit. Ai parashikon se mund të duhen dy deri në gjashtë muaj për t’u ndjerë përsëri plotësisht normal.