MENU
klinika

“Nisim sesionin e betejave më të fuqishme”

Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar: Rama mban Belerin në burg që të mos betohet

01.09.2023 - 11:04

Ish-kryeministri Sali Berisha, ashtu siç edhe u njoftua dje, ka mbledhur sot Grupin Parlamentar të Rithemelimit. Berisha u shpreh dje se në mbledhje do ketë diskutime mbi vendimmarrjen dhe funksionimin e Grupit Parlamentar. Sakaq, kjo mbledhje vjen në kuadrin e nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Berisha e nisi fjalën e tij duke thënë se ky sesion parlamentar do të startojë me sesionin e betejave “më të fuqishme kundër këtij regjimi të damkosur në shkallë maksimale, në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar”. Po ashtu ai tha se Edi Rama po mban në burg Fredi Belerin në mënyrë që t’i skadojë afati 90 ditë për të mos u betuar si kryetari i ri i bashkisë së Himarës.

Pjesë nga fjala e Berishës:

E nisim këtë sesion parlamentar, në sesionin e betejave më të fuqishme kundër këtij regjimi të damkosur në shkallë maksimale, në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Unë e kuptoj që për mënyrën si funksionon parlamenti, ai funksionon si një parlament cubash, hajdutësh dhe njerëz që nuk kanë, nuk njohin as ligj, as moral, as kushtetutë, as rregullore. Institucioni në të cilin të drejtat e deputetëve dhe për rrjedhojë të atyre që përfaqësojnë deputetët, shkelmohen çdo orë, çdo ditë. Parlament i cili është totalisht në funksion të regjimit të Edi Ramës, regjimit të krimit, drogës dhe vjedhjeve.

Parë në këtë kontekst, është tmerrësisht e vështirë ulja në atë sallë, por detyrime më supreme ndaj zgjedhësve tanë, na detyrojnë ne që jo vetëm që të ulemi, por të shumëfishojmë përkushtimin tonë, të shumëfishojmë alternativën tonë për qytetarët shqiptarë dhe denoncimet në të gjitha drejtimet të këtij regjimi që kryesohet nga një njeri, sot më i diskredituari në Ballkan dhe Europë, pas Putinit dhe Lukashenkos.

Edi Rama është turpi i Shqipërisë. Çdo ditë që kalon është një mbulesë turpi për ne. I vetmi kryeministër në rajon të refuzohet nga dy kryeministra të vendeve fqinjë.

Nuk u prit në Athinë. Po sigurisht sepse samiti ishte për vlerat Europiane që duhet të ndajnë vendet e Ballkanit, ishte për një deklaratë historike e cila përbën dokumentin legal të prespektivës Europiane të vendeve të rajonit, me kusht që ata të ju përmbahen vlerave Europiane. Ky shkelmon vlerat Europiane dhe pastaj thotë se policia dhe drejtësia ime e pavarur, më thonë këto gjëra. Mban në burg Fredi Belerin, absolutisht si të burgosur politik., vetëm e vetëm që të skadojë 90 ditëshi i afatit që ai të mos betohet si kryebashkiak i Himarës.
Iu them atyre që besuan se të besosh nacionalizmin e Edi Ramës është si të besosh turpin. Dhe kini kujdes atë që ka thënë Niçja; se ky nacionalizëm është streha e fundit e horrave.

Po ç’ka të bëjë me nacionalizmin respektimi i ligjeve tona? Përkundrazi ka të bëjë me nacionalizmin qytetar, shqiptar sepse ti je njeri i ligjit, i kushtetutës. Se ti për një shqiptar ke shkuar në burg dhe ke dhënë mandatet dhe betimet, sepse ligji po nuk qe i dënuar nuk e ndalon. Shumë thjeshtë, një parim shekullor i prezumimit të pafajësisë.

Kurse këtij që don të ja marrësh me çdo kusht mandatin për pronat e tua, të klanit tënd mafioz dhe klaneve të tjera mafioze, këtij i thua se me thotë policia dhe drejtësia e pavarur që nuk mund të betohet. Ka gjë më të turpshme. Enver Hoxha i bënte këto, por një drejtues i një vendi të lirë nuk e bën dot kurrë këtë. E bën vetëm për interesa të tij mafioze dhe i çon marrëdheniet me një fqinj, i cili për hir të së vërtetës duhet të themi këtu, pavarësisht se ka pasur probleme në marrëdhëniet tona, por në tërësi ka predominuar, bashkëpunimi, miqësia. Greqia në asnjë rast që nga vitet ’90 e gjer dje asnjëherë nuk është bërë pengesë në proceset e integrimit evropian, euroatlantik të Shqipërisë.
Mund të ketë patur rezervat e veta, mund të ketë patur hezitimet, por nuk i ka lejuar vetes kurrë, asnjëherë. Tani të kërkon të zbatosh ligjin tënd dhe i thua po më ndërhyn. Çfarë po ndërhyn. Prevalon interesat mafioze të tij mbi interesat e vendit, mbi idealet demokratike të shqiptarëve dhe natyrisht e çon tjetrin drejt atyre qëndrimeve, që nuk i kanë pasur ndonjëherë. Me fqinjët gjithmonë krijohen probleme, por problemet zgjidhen dhe nuk kanë shkuar ndonjëherë në atë që të na pengojnë apo lobojnë kundër, cilido që ka qenë në pushtet.

Por tani me prevalimin e interesave mafioze të tij do të na vijnë.