Në mbledhjen e mbajtur nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme në Kukës, iu ka bërë thirrje partive politike që të angazhohen dhe fillojnë punimet për Reformën Zgjedhore.
Celibashi tha duhet të dëgjohet edhe zëri i KQZ dhe aktorëve të tjerë jashtë politikës dhe nuk duhet partitë politike të gjithë të drejtën në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
“Të fillojë dhe të përfundojë sa më shpejt reforma zgjedhore. Politika shqiptare të kuptojë që ka ardhur koha që reforma zgjedhore të jetë vërtetë serioze në kuptimin e asaj se ca duhet të reformohet te sistemi i zgjedhjeve, jo vetëm si mënyra e përkthimit të votave në mandateve, po ka nevojë sistemi i administrimit dhe menaxhimit të modernizohet dhe të ketë më shumë qartësi, transparencë.
Ka nevojë të dëgjohet zëri i KQZ, por edhe aktorëve të tjerë jashtë politikë. Do duhet që të mos kenë vetëm partitë politike të gjithë të drejtën në procesin e administrimit të zgjedhjeve në nivelet e dyta dhe treta. Kjo është domosdoshmëri, shpresoj të ndryshojë në të ardhmen”, tha Celibashi.