MENU
klinika

“Rënia e euros duhet të sillte uljen e çmimeve”

Çfarë pritet të ndodhë me monedhën europiane

01.09.2023 - 16:30

Eksperti për çështjet e ekonomisë, Vjoldi Didanaj theksoi se rënia e euros duhet të kishte sjellë edhe uljen e çmimeve. Në një intervistë për “Sheshi i Dollarit”, tha se nuk pret që të ketë ulje të çmimeve muajt e ardhshëm nëse nuk ndërhyjnë institucionet që të bëjnë kontroll abuzimet në importe.

“Jam pak spektik për rënien e çmimeve. Nëse do të kishte rënie duhet ta shikonim me rënien e euros. Dobësimi i euros ka favorizuar importet dhe kjo llogjikisht do të sillte edhe një rënie të çmimit. Por nuk ka ardhur për dy faktorë kryesorë, njërin që lidhet me ligjin e ekonomisë që është rritur kërkesa. Nëse shikojmë produkte që më përpara këtë periudhë i eksportonim jashtë, tani konsumohen 80 për qind e tyre në tregun vendas sepse kërkesa ka qenë më e lartë. Normalisht kjo ka edhe anën e saj abuzive mungesa e uljës së çmimeve sepse importuesit deri diku kanë abuzuar në mënyrë indirekte me çmimet, të cilët nuk e kanë reflektuar ndryshimin e çmimit të blerjes që kanë pasur”, theksoi ai.

“Rritja e çmimeve sjell pasiguri për të ardhmen për çdo konsumator. Ata i orientojnë shpenzimet vetëm më produktet më jetike duke kursyer edhe ato produkte që sjellin vlerë të shtuar më të lartë. Pjesa tjetër është skeptike sepse nuk po shikon një lëvizje serioze të institucioneve. Ka lëvizje që i përgjigjen momentit dhe nuk ka një planifikim afatgjatë që të japë siguri dhe stabilitet që konsumatori të rrisë shpenzimet për konsum dhe më pas kjo do të ndikonte në ekonomi. Në ekonomi gjërat janë zinxhir, nëse një hallkë nuk funksionon, i gjithë zinxhiri ka probleme. Normalisht, problemet e zinxhirit kthehen në boomerang dhe dëm kombëtar të ekonomisë.“, u shpreh ai.

Përsa i përket inflacionit, ai theksoi se është shumë herët që të flitet për një stabilizim apo arritje të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Eksperti shprehet se në muajt në vijim do të jemi në këtë situatë dhe mund të flitet për një ‘qetësim ekonomik’ nga viti që vjen.

“Inflacioni deri diku ka qëndruar konstant. Flasim për inflacionin e matshëm, ka ndikuar çështja e kontrollit që ka pasur leku, forcimi i monedhës dhe BSH për këtë arsye nuk ka marrë hapa për rregullimin e kursit të këmbimit. Këto lëvizje që bëri banka i bëri pasi pa një lloj stabilizimi të këtij inflacioni. Mendoj se mund të qëndrojmë në këto nivele që jemi sot, duke mos pasur luhatje të të forta të çmimeve kështu që do të qëndrojmë pak a shumë në këto ujëra. Uroj që të kemi një ulje të inflacionit dhe përmirësim të standardit të jetetës por këtë vit do të fillojmë me këto vështirësi ekonomike që e filluam vitin dhe ndoshta në 2024 mund të flasim për një ‘qetësim ekonomik’ në vend.”, shtoi eksperti.

Ai thotë se nga mesi i shtatorit e tutje pritet që të ketë një stabilizim të euros, por sipas tij, do të jetë shumë e vështirë që të arrijë nivelet e mëparshme.

“Mendoj se janë të dyja faktorët, komunikimi i Bankës së Shqipërisë për të kontrolluar situatën e kursit të këmbimit ka dhënë impakt pozitiv sepse banka ka kërkuar të minimizojë pasojat e këtij problemi por që nuk e kontrollon dot 100 për qind. Është edhe faktori tjetër. Ne kemi ardhur në fund të sezonit turistik, ku dhe fluksi i monedhës së huaj ka rënë ndjeshëm dhe edhe turistët janë zvogëluar. Por duket se ka edhe një ndërgjegjësim nga ana e institucioneve ose lëvizjet për të kontrolluar lekun joformal. Kështu që nga dy bëhen tre faktorë, që ndërthuren me njëri-tjetrin. Këto luhatje janë normale të paktën deri me 15 shtator, por mbas kësaj date do të kemi një euro deri diku të stabilizuar ku mendoj se do të shkojë deri në 114 lekë, ku i përafrohet edhe më shumë kursit real që duhet të ketë leku me euron por nuk besoj se do të tejkalojë këtë vlerë.”, u shpreh eksperti.