MENU
klinika

E gjithë barra do të bjerë mbi kurrizin e qytetarëve

Çmimet e biletave po shkojnë drejt ekstremit?

15.09.2023 - 10:00

Industria evropiane e aviacionit është në një pikë kthese. Përkatësisht, Bashkimi Evropian ka vendosur që në dy vitet e ardhshme, pothuajse në të gjitha fluturimet nga aeroportet të përdoret një nivel të caktuar të karburantit të qëndrueshëm të aviacionit. Duke marrë parasysh që karburantet e qëndrueshme të aviacionit (SAF) janë aktualisht tre deri në katër herë më të shtrenjta se vajguri, dhe se në fakt nuk ka treg për karburantet e gjelbër të aviacionit askund në botë, industria e aviacionit po përballet me një periudhë sfiduese. Dhe nëse qeveritë e BE-së nuk e mbështesin këtë iniciativë evropiane me politika publike, e gjithë barra do të bjerë mbi kurrizin e qytetarëve, të cilët do të duhet të paguajnë shumë herë më shumë për udhëtimet ajrore sesa sot.

Pas negociatave të gjata ndërmjet Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit, përfaqësuesit në Strasburg votuan të mërkurën rregullat e reja në lidhje me përdorimin e karburanteve të qëndrueshme të aviacionit në transportin ajror.

Sipas nismës “ReFuelEU Aviation”, nga viti 2025, avionët që nisen nga aeroportet evropiane do të duhet të përdorin një minimum prej dy për qind karburant të qëndrueshëm të aviacionit. Kjo përqindje do të rritet me kalimin e viteve, kështu që deri në vitin 2035 shuma minimale e SAF duhet të jetë 20 për qind, dhe në vitin 2050 edhe 70 për qind. Këto rregulla do të zbatohen për të gjitha fluturimet tregtare dalëse nga aeroportet evropiane, me përjashtim të territoreve më të largëta, siç janë Ishujt Kanarie. Nisma është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të BE-së për ta bërë Evropën kontinentin e parë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050.

Theksi më i madh është vënë në përdorimin më të madh të karburanteve sintetike ose e-karburanteve, të marra nga shndërrimi i energjisë elektrike në lëndë djegëse të lëngshme. Përveç e-karburanteve, biokarburantet e caktuara të prodhuara nga mbetjet bujqësore ose pyjore, algat, mbetjet biologjike, vaji i përdorur për gatim ose disa yndyrna shtazore do të konsiderohen gjithashtu të qëndrueshme. Lëndët djegëse të ricikluara të avionëve të prodhuar nga gazrat e mbeturinave dhe mbeturinat e plastikës konsiderohen gjithashtu “të gjelbërta”.

Prodhimi i karburanteve të qëndrueshme është ende shumë i kufizuar sot, me karburantet e qëndrueshme të aviacionit që përbëjnë më pak se 0.1 për qind të konsumit total të karburantit të aviacionit. Përfaqësuesi i të Gjelbërve, Jakop Dalude, theksoi se për momentin, prodhimi i plotë i karburanteve të qëndrueshme të aviacionit nuk do të mjaftonte as për të mbuluar një të tretën e fluturimeve kombëtare në Suedi.

Qëllimi i BE-së është të rrisë prodhimin evropian nga disa qindra mijë tonë në 160 milionë tonë në vit deri në vitin 2050. Më shumë se njëqind objekte prodhimi, duke përfshirë të paktën tre në Francë, duhet të shohin dritën e ditës në Evropë, me më shumë se 200,000 vende të reja pune.

Një sfidë kryesore është se industria e linjave ajrore është veçanërisht e vështirë për t’u dekarbonizuar. Ndërsa teknologjia e energjisë së rinovueshme ka mundësuar tashmë kalimin në makina elektrike, kamionë dhe mjete të tjera rrugore, aktualisht nuk ka asnjë teknologji që do të bënte të njëjtën gjë për transportin ajror. Ka disa zgjidhje inovative, por ato janë ende larg aplikimit të gjerë. Për shembull, Airbus ka njoftuar se deri në vitin 2035 do të ketë avionin e parë me emetim zero, i cili do të përdorë qelizat e karburantit me hidrogjen. Aeroplanët elektrikë mund të jenë gjithashtu një koncept i zbatueshëm, por ka të ngjarë të kufizohen në avionë shumë të vegjël për shkak të kufizimeve në teknologjinë e baterive dhe kapacitetin e baterisë.

Ekziston gjithashtu një rrezik real që çmimet e fluturimeve të rriten nëse qeveritë nuk ndërhyjnë dhe nuk ndihmojnë linjat ajrore të kalojnë në karburante të qëndrueshme. Raportuesi parlamentar José Ramón Bauzá Díaz u bëri thirrje qeverive kombëtare që të mbështesin këto masa me burime financiare, stimuj tatimorë dhe reduktim të burokracisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


RT/ E ardhmja e industrisë varet nga përgjigjia

Kush do të kërkojë naftë në të ardhmen?

Nga Jugu deri në Dubai e Maldive

Ku do të pushojnë shqiptarët këtë verë?

Analiza nga The Economist/ Skenarët

Kur do të kthehet ekonomia në normalitet?