MENU
klinika

Kimete Berisha

Dalldi e paparë patriotike!

28.09.2023 - 17:12

– Albin Kurti po sillet thuajse e ka zbuluar ‘patriotizmin’ dhe armikun serb.

– Njëkohësisht, derisa Albin Kurti po digjet gjuhësisht për Kosovën, presidentja po qet tym nga një lloj patriotizmi jashtëzakonisht primitiv.
Kur ajo nuk vishet me atë fustanin ngjyrë synetie, vdekja ‘e tjetrit’ i duket – Rilindje.
Po a ka absurditet e budallallëk më të madh se sa të thuash se kush vdes – nuk vdes, por rilind.

– Mos i rréni njerëzit se nëse vriten – rilindin.
Vdekja mund të jetë Liri (një tjetër liri), liri individuale, ndoshta!

– Kurrë s’e kam dëgjuar askënd që do të dëshironte të Rindte në këtë botë.

Prandaj Rilindja është premtim, o Zot çfarë premtimi!

E kush je ti se që e di çka është Rilindja?

– Pse po ndodh gjithë kjo urgjencë patriotike?

Pse nuk e dinë se nuk i ha këto pallavra ai që e ka përjetuar luftën dhe nuk e ka parë drejtësinë…

– Nuk ka profesione patriotike në shtetin e lirë e të pavarur.

Nuk je patriot nëse e ‘do’ vendin tënd, por e ke në përshkrimin e vendit të punës që duhet ta mbrosh Kosovën.

– Patriotë ishin, shembull, ushtarët e UÇK-së, që nuk ishin ‘të punësuar’ për ta çliruar Kosovën, as nuk e kishin përballë KFOR-in kur e nisën luftën të vetmuar e të varfër; me armë e pa armë, armë kryesore kishin idealin e çlirimit.

– A ka gjë më patetike se sa kur një kryeministër i një shteti të pavarur flet me zjarr për vdekjen, vrasjet, nxehet… qe 3 vite ndjell luftë…

Trimërohet sepse e ka KFOR-in.

– Paramendoje të ruhej dhe mbrohej Kosova vetëm nga shqiptarët?

Të mbetej Kosova në duart e Institucioneve të saj që s’kanë as letër e sapun në nevojtore.

– Dalldia patriotike i ka kapluar sidomos ‘ata’ që vuajnë nga kompleksi i spiunit të Serbisë …

Ata po e shfrytëzojnë më së shumti dallgën patriotike.

– Ata janë gëzuar shumë dhe po thonë se Kosova ka triumfuar (po bëjnë sikur u duket që Kosova u tregua superfuqi botërore) që i ka vrarë ‘tre terroristë serbë’, dhe i ka lejuar të ikin nga Kosova për në Serbi dhjetëra terroristë të tjerë.

– Triumf i madh të të vritet polici, pa pritur e pa u kujtuar, e askush të mos jap përgjegjësi se si ndodhi të futet gjithë ai armatim në Kosovë e të mos e shoh njeri?

– Qysh hyri armatimi i rëndë në Kosovë në kohën kur prej Albinit keksi serb ‘nuk ka mundur’ të hyjë nga Serbia!

– Asnjëri nuk flet për paqe. TV gazetat publikojnë të vrarët si në gjendje lufte.

– Të gjithë janë të disponuar për luftë!

Edhe këngëtarët i ka zënë ‘atdhedashuria’. Njëra, më naivja ndër to, tha se kur këndon këngë patriotike i hidhet ta marrë armën e të luftojë për atdhe!

Merre, moj!

– Asnjëri nuk tregon se edhe sikur të ndodhte edhe një luftë, edhe njëqind luftëra po të ndodhnin, prap se prap, në fund, do të ndodhin bisedimet me armikun.

– Luftës mund t’i shmangesh, por bisedimeve jo.

Prandaj, shtyrja e marrëveshjes është hilja më e madhe politike, sepse marrëveshja shtyhet me gjak.

P.S. Pushka – Top!