Mediat greke kanë publikuar detaje të tjera nga ekzekutimi i gjashtë personave në Loutsa gjatë pasdites së djeshme, për të cilët fillimisht u tha se ishin shqiptarë, por më pas autoritetet greke mohuan diçka të tillë duke theksuar se viktimave u janë gjetur ID turke dhe franceze.
Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës në Greqi kanë analizuar mënyrën se si vepruan autorët duke u bindur se bëhet fjalë për një pusi më shumë se sa përplasje me armë.
Sipas tyre, fillimisht autorët kanë qëlluar në xhamin e parë të makinës duke ekzekutuar shoferin dhe pasagjerin në të djathtë të shoferit, ndërsa më pas janë afruar duke vrarë edhe personat që gjendeshin në sediljet e pasme. Këtu dyshohet se ka patur një moment shkëmbim zjarri ku është vrarë njëri prej autorëve.
Dyshohet se autorët dhe viktimat e kanë njohur njeri-tjetrin dhe gjitçka ka ndodhur për larje hesapesh.
Mediat greke kanë publikuar audio nga momenti i shkëmbimit të zjarrit mes grupeve rivale, gjë e cila ngjan si në filma.
Fillimisht ka breshëri të gjata dhe më pas heshtje, në fund qëllohet sërish me sa duket autorët janë siguruar që t’i vrasin të gjithë rivalët.
Dyshohet se njëri prej personave të vrarë është nga grupi rival dhe ka qenë aty si gjuajtës.
Makina ishte me targa false gjermane, ndërsa banorët e zonës kanë rrëfyer se iu është dukur si dasmë dhe shpërthim fishekzjarrësh.