MENU
klinika

Nga SHBA e Rusia te Kina e Irani

Gara e çmendur për armatim, cilat vende kryesojnë?

25.09.2023 - 12:43

Gjysmë shekulli i parë i epokës bërthamore dëshmoi ndërtimin gradual të një rendi global bërthamor të krijuar për të zbutur rreziqet bërthamore, për të penguar garën e armëve dhe për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore në shtete të tjera. Gati tre dekada më vonë, situata në botë është dramatike. Harmonia dhe bashkëpunimi midis fuqive të mëdha nuk janë ruajtur, një epokë e artë e kontrollit të armëve dhe çarmatimit nuk ka ardhur, dhe norma e mospërhapjes nuk është respektuar në mënyrë universale. Në vend të kësaj, marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin janë bërë deri diku toksike. Rritja e Kinës duket se ka bërë që Uashingtoni dhe Moska “t’i bëjnë mire llogaritë”. Janë shfaqur edhe disa shtete të reja të armatosura bërthamore, duke krijuar të ndërlikuara dhe të paparashikuara, si për shembull Irani dhe Koreja e Veriut.

Bazat e reja

Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po zgjerojnë vendet e tyre të testimit bërthamor. Ky është alarmi i ngritur nga një artikull i CNN, sipas të cilit imazhet satelitore të zonës bërthamore kineze në Xinjiang, asaj ruse në Arktik dhe asaj amerikane në Nevada nxjerrin në pah mënyrën sesi është punuar për zgjerimin e strukturave dhe gërmimin e tuneleve të reja, të cilit i shtohet një rritje e ndjeshme e trafikut të mjeteve. Prandaj, provat duket se sugjerojnë se tre superfuqitë, të përfshira në një Luftë të re të Ftohtë që nuk është më bipolare si në shekullin e njëzetë, por shumëpolare dhe shumëdimensionale, po fokusohen gjithashtu në atë që mbetet makthi i vëzhguesve, liderëve dhe opinionit publik: një luftë atomike. Sigurisht që rreziku nuk është i afërt. Megjithatë, nuk mund të fshihet se sidomos që nga fillimi i luftës në Ukrainë, çështja e përdorimit të armëve bërthamore, qoftë strategjike apo taktike, është në qendër të vëmendjes.

Lufta bërthamore

Edhe nëse kjo mund të përmblidhet si një kërcënim i thjeshtë, kjo nuk përjashton që narrativa të ketë ndryshuar dukshëm në krahasim me disa vite më parë. Dhe kjo konfirmohet si nga tërheqja nga marrëveshjet e nënshkruara në dekadat e mëparshme, ashtu edhe nga rinovimi i programeve bërthamore dhe raketore. Ndaj, bëjnë sens fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në programin “In Mezz’ora”. ” Ne nuk shohim ndonjë kërcënim të afërt ushtarak kundër aleatëve të NATO-s”, siguroi Stoltenberg, por “retorika bërthamore e Rusisë është e rrezikshme dhe e pamatur”, vazhdoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike dhe për këtë arsye, sipas tij duhet frenim dhe një mbrojtje e fortë.

Aleanca Putin-Kim Jong Un

Ndërkohë, marrëveshjet e nënshkruara nga Vladimir Putin dhe Kim Jong-un kanë kthyer në qendër të vëmendjes Korenë e Veriut, ku regjimi ka përdorur gjithmonë kërcënimin atomik si një mjet diplomatik. Koreja e Veriut mund të ketë më shumë se 60 armë bërthamore, sipas vlerësimeve të analistëve, dhe ka provuar me sukses raketa që mund të godasin edhe Shtetet e Bashkuara. Veçanërisht Japonia e konsideron Korenë e Veriut si një kërcënim të madh ndaj sigurisë dhe paqes në vend, pasi ushtria e Kim Jong-un ka demonstruar më parë se ka madje edhe bomba të barabarta me madhësinë e bombës së Hiroshimës, që vrau 70 000 njerëz.

Kërcënimi nga Irani

Dhe nuk duhet nënvlerësuar tema gjithnjë aktuale e programit bërthamor iranian, e cila është rikthyer sërish në qendër të debatit ndërkombëtar për shkak të fjalëve të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Kombet e Bashkuara. “Për sa kohë të jem kryeministër i Izraelit, do të bëj gjithçka në fuqinë time për të parandaluar që Irani të marrë armë bërthamore”, tha kryeministri i shtetit hebre. Fjalë që konfirmojnë rreziqet e jashtëzakonshme. Irani madje së fundmi shfaqi atë që pretendonte se ishte “droni me rreze më të gjatë në botë” gjatë një parade. Droni ishte një nga disa mjete ajrore dhe raketa të paidentifikuara që forcat iraniane treguan në një ngjarje në Teheran që shënonte përvjetorin e Luftës së përgjakshme Iran-Irak në vitet 1980 dhe erdhi disa javë pasi Irani zbuloi një dron për të cilin pretendonte se mund të qëndronte në ajër për 24 orë.