Emri Vata, kandidati i opozitës dhe Rithemelimit të Sali Berishës për Bashkinë e Kukësit, do të regjistrohet për zgjedhjet e 24 shtatorit nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Por, dy partitë përbërëse të koalicionit janë ajo e Partisë së Lirisë dhe Partia Demokristiane.
Në këto kushte, Rithemelimi i Berishës është përjashtuar si subjekt politik më vete pasi legjitimitetin për të përfaqësuar zyrtarisht Partinë Demokratike e ka Lulzim Basha.
“Regjistrimin e koalicionit Bashkë Fitojmë të përbërë prej partive politike të regjistruara tashmë si subjekte zgjedhore Partisë së Lirisë dhe Partisë Demokristiane, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë Kukës, me shkronjat nistore të koalicionet BF dhe siglën përkatëse të koalicionit”, u shpreh komisioneri Ilirjan Celibashi.
Thënë më thjesht, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar ankimimin e grupimit politik të Sali Berishës për t’u regjistruar në zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit, raporton newsbomb.al.
Kandidati i Primareve, Emri Vata do të garojë nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që sigurisht ka bekimin e Sali Berishës, por Rithemelimi i tij nuk njihet zyrtarisht ndaj dy subjektet politike të koalicionit janë Partia e Lirisë dhe Partia Demokristiane.
Ashtu si në zgjedhjet e kaluara ku gjeti “strehim” te Ilir Meta, edhe në zgjedhjet e pjesshme Sali Berisha ka gjetur “strehim” te Nard Ndoka. Për sa kohë që çështja e vulës dhe logos së Partisë Demokratike janë në gjykatë dhe do të shqyrtohen nga e para, si grupim zyrtar njihet ai i drejtuar nga Basha.