MENU
klinika

Nënkryetari i Listës Serbe kërcënon Kurtin

“Koha do t’a tregojë se kush do t’a paguajë në fund”

14.09.2023 - 21:09

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç për mes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook ka hedhur akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas takimit të nivelit të lartë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell në Bruksel.

Në postim shkruhet se Kurti nuk do dialog e as paqe, por konflikt e hakmarrje.

“Kërcënimi që i dërguat sot nga Brukseli Listës Serbe dhe në radhë të parë popullit serb tregon qartë se ju Albin Kurti nuk doni dialog, nuk doni paqe, por doni konflikte dhe hakmarrje ndaj atyre që nuk mund t’i blini apo thyeni. Dhe prandaj shfaqni ankthin dhe fytyrën tuaj të vërtetë para syve të gjithë komunitetit ndërkombëtar sot”, thuhet në reagim.

Radoiçiç më tej hedh akuza të tjera duke pretenduar se zgjedhjet në veri nuk u mbajtën pasi Kurti me njësinë speciale të Policisë, rrahën serbët.

“99.9% e popullit serb vendosi të mos shkojë në zgjedhje nën presionin e çizmeve të forcave tuaja speciale, të cilat kanë gjakun e serbëve që i pushkatuan dhe i rrahën dhe Lista Serbe e ndoqi atë vendim sepse ishte dhe do të jetë gjithmonë me njerëzit e saj,” thuhet më tej në postim.

Radoiçiç ka kërcënuar Kurtin duke thënë se koha do të tregojë kush do të pësoje në fund.

“Albin Kurti, si të gjithë pushtuesit, mund të bësh si të duash, por jo sa të duash. Koha do të tregojë se kush do të pësojë dhe do të paguajë në fund. Rroftë Serbia! Rroftë populli serb”, përfundon nënkryetari i Listës serbe.