MENU
klinika

Rama: Vizitorët po shijojnë….!

Kroçerja me turistë nga 18 vende të botës zbarkon në Durrës

03.09.2023 - 13:11

Kryeministri Edi Rama ka komentuar ndalesën e një tjetër kroçere të njohur në sektorin e turizmit në qytetin e Durrësit. Në një postim në faqen e tij në Facebook, Rama shkruan se kroçera ‘Nautica’ me 648 turistë nga 18 vende të botës, prej Amerikës deri në Zelandë të Re, është rikthyer në Shqipëri për t’u ndalur mëngjesin e së dielës në Portin e Durrësit.

Sipas kryeministrit, kjo ndalesë u ka dhënë mundësi vizitorëve të shëtisin për të shijuar gjithë sa ofron Durrësi dhe zonat përreth.

“Nautica, kroçera me 648 turistë nga 18 vende të botës, prej Amerikës deri në Zelandë të Re, është rikthyer në Shqipëri për t’u ndalur mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit duke i dhënë mundësi vizitorëve të shëtisin për të shijuar gjithë sa ofron Durrësi dhe zonat përreth”, shkruan Rama.

Vetëm një ditë më parë një superjaht luksoz mbërriti në Portin e Durrësit. Ai quhet ‘Opera’ dhe i përket sheikut Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ministër i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anëtar i familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe. Po ashtu edhe jahti “Koru” i themeluesit të Amazon Jeff Bezos ndaloi në portin më të madh shqiptar për t’u furnizuar me 170 mijë litra karburant, para se të riniste lundrimin drejt Italisë.

Portet e Durrësit dhe Vlorës si dhe Saranda, janë kthyer këtë vit në stacione të ndalimit për qindra krocera që kanë në itinerarin e tyre destinacione të njohura turistike të Mesdheut dhe jo vetëm. Rama shkruajti në rrjetet sociale se ky sezon ka qenë fantastik për Portin e Durrësit, ku kanë ardhur 257 jahte të mëdha turistike dhe 21 kroçera./