MENU
klinika

Nga Igli Tola

Kur kryeministri historik i Malit të Zi do të ikë

10.09.2023 - 11:02

Nga Igli Tola

Ne, Mali i Zi jemi vend i diellit dhe zbavitjes…. Shqetësimi jonë sot që po mban kohë e mirë në Bled, është ah sikur sezoni turistik të zgjasë më shumë… Na ftoni në Bashkim Europian, sepse nëse jemi në shoqëri të mirë, atëherë jemi më të suksesshëm– tha Dritan Abazoviq, një Forumin e Bledit, ku gjendej në “një shoqëri jo dhe aq të mirë”: me homologët e tjerë ballkanas, që impresiononin sallën me debate të forta me njeri tjetrin, me sfond filozofik, apo historik, ndërsa kryeministri ynë bënte humorin e zi dilematik- o në autobusin e ngadalshëm europian, ose në aeroplanin rus…

Kjo ndërhyrje elegante, e shkurtër, në dukje naive, ishte mënyra me të cilin kryeministri shqiptar i Malit të Zi diferencohej nga sherrxhinjtë e tjerë ballkanikë, ku shumica ishin shqiptarë si vinte në dukje Ivica Dacic i Serbisë, me gjasë dhe ai shqiptar i serbizuar nga Prizreni.. Ishte një mënyrë për të theksuar qasjen pragmatike, realiste të vendit që udhëhiqte, me fokus tek ekonomia, qasje pragmatike që me Abazovic ka njohur kulmin: falë 4 deputetëve të partisë së tij, URA janë ideuar, nxitur, vënë në lëvizje dhe përkryer procese të rëndësishme historike në dukje konfliktuale, e megjithatë pa kurrfarë destabilizimi, në qetësi të plotë. Janë procese epokale demokratizuese, me të cilat Mali i Zi, falë tij i jep leksion krejt Ballkanit: ju dha fund një qeverisje autokratike 30 vjeçare; u afirmuan udhëheqës të rinj teknokratë në krye të shtetit; u normalizuan marrëdhëniet me gjithë rajonin, Serbinë e Kosovën, por dhe me Kishën serbe; ama u tkurr Fronti Proserb; u godit kontrabanda e cigareve, burimi kryesor i mbajtjes së shtetit dhe blerjes së zgjedhjeve; u rrit disponimi pro BE dhe NATO në një vend të vogël krejt afër Serbisë, etj, etj.

Por mbi të gjitha, parë nga perspektiva shqiptare, si kurrë më parë shqiptarët u afirmuan në krye të institucioneve të Malit të Zi dhe brenda tyre; u rrit financimi i komunave ku ata janë shumicë; u bë aleanca e parë më e madhe e partive shqiptare në Ulqin; u intensifikuan marrëdhëniet me Shqipërinë, me të cilën po ndërtohet një Urë që shkurton 75 kilometër rrugë dhe krijon ofertë turistike unike në një plazh 40 km ku jetojnë shqiptarë; u nënshkruan 13 marrëveshje me Shqipërinë, në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, ndërsa Podgorica u mbush me flamujt kuqezi si kurrë ndonjëherë..

Mirëpo me çfarë sysh e shohin bashkombasit e tij në rajon? Pse politikanët shqiptarë e sulmojnë apo në rastin më të mirë e shohin me dyshim- madje dhe Rama, kaq i afërt me të sot- në fillim bëri thirrje për të votuar Gjukanovicin, dhe e priti në Tiranë vetëm pas 7 muajsh që ai u bë zëvendëskryeministër. Kurti, bashkëvendas i tij, mezi e duron ndonëse nuk i dalin parashikimet e tij për zhdukjen e kombit malazez. Krerët e partive shqiptare në Mal të Zi, e që marrin një grusht votash të zilepsur prej suksesit të tij, e sabotojnë vazhdimisht… dhe duan që ai të iki prapa diellit, të merret me peshkim në Bunë, apo në Shqipëri. Analistët e Kosovës filoGjukanovic e akuzojnë si të lidhur me Serbinë. Ata të Shqipërisë që dinë fare pak ose aspak për Malin e Zi kaq afër, e shohin vetëm me syzet e Kosovës.. Kur një vit e gjysmë më parë, Dritan Abazovic do të votohej si kryeministër i parë shqiptar në historinë e Malit të Zi, në zonën e mediave kishte vetëm një kamera të televizioneve shqipfolëse-Klan Kosova- kështu më tha një miku im malazez, ndërsa gjithë rajoni kishte mediat e veta për të ndjekur një ngjarje të papërsëritshme mbase në 1000 vjet: një pakicë që ka vetëm 5 % ligjërisht, ofron kryeministrin në një vend kaq të vogël dhe delikat për sigurinë e NATO-s…

Çfarë është kjo lloj miopie brendashqiptare për një kryeministër që e pohon me krenari se vjen nga Kruja?  Është pak nga të gjitha: është verbëria historike e shtresave të ulta të kombit që tërhiqen nga propaganda me çmim të lirë e demagogëve që qeverisin në BAllkan, apo në viset tona.  Kështu ka ndodhur gjithnjë: a e kanë dashur Ismail Qemalin, Nolin, Konicën, madje dhe vetë Zogun? Ata që janë në krye të shteteve përkatëse nuk ja durojnë suksesin, edhe përkundrejt Serbisë, ndonëse marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Serbisë që mund të ishin njëjtë si ato të Ukrainës me Rusinë (hane Kosovë; hane Serbi-si paralelizon Kurti) janë normalizuar ndjeshëm. Dritan Abazoviq e ka mundur nacionalizmin serb jo vetëm të Malit të Zi) në paqe: e ka detyruar të njohë Kosovën; ka mbajtur Malin e Zi në NATO; ka zvogëluar partitë proserbe; ka zbehur asimetrikisht rolin e Kishës serbe në Mal të Zi megjithëse dukej e kundërta. Rezoluta për Srebrenicën e miratuar nga qeveria ku ai bënte pjesë, ishte rezoluta më e fortë në Ballkan..

Apo e kritikojnë pse pragmatikisht, pse vendi i tij, Mali i Zi që furnizohet nga Serbia me prodhime bujqësore, e donte në Ballkanin e hapur.. Me guxim pa hezituar Dritani shpreh përqafues i Ballkanit të Hapur; duke vënë theksin te të pasurit e kultivuarit dialog, si rruga që shpie drejt të mos pasurit frikë nga njëri tjetri. Politikat përçarëse dhe theksimi i konflikteve, shprehej ai se e kishte lënë Rajonin mbrapa, ndaj detyra jonë është ta bëjmë diçka për ta ndryshuar këtë.

Abazovic nuk është udhëheqës tipik. Artan Fuga, autor i parathënies së librit të tij për globalizmin, thotë se Dritani mund të ishte fare mirë pedagog në universitetet më të mira të Europës. I formuar akademikisht në Bosnjë, ai këndon plot pasion këngët e grupit të famshëm jugosllav Biello Dugmes, ndërsa agjëron rregullisht; është fans i tenistit serb Gjokovic, dhe kalon fundjavat vetëm në në plazh të thjeshtë buzë Bunës me  një varkë të vogël. Është kryeministri më i ri i partive të gjelbra në Europë dhe ka rritur fuqinë e shtetit në ekonominë malazeze, duke vendosur në kontroll portin e Barit, aeroportin e Podgoricës, duke shtetëzuar kontrata ekskluzive lundrimi, duke goditur oligarkun kryesor, etj. Rroga minimale është rritur; inflacioni është ulur, borxhi publik po ashtu. Turizmi lulëzon në Mal të Zi edhe kur nuk ka mot të mirë dhe stabiliteti politik ndihmon edhe falë qasjes së shpenguar të të bërit politikë prej malazezit shqiptar. Madje dhe duke qeshur zhurmshëm si thoshte gazetari i Le Monde, që i kushtoi një portret pas 23 vjetësh që gazeta më e madhe franceze i kushtohej një personazhi të vetëm malazez.

Abazoviç është shprehje kozmpolite e qytetit të lashtë nga vjen, Ulqinit, ishulli i vetëm ende kulturalisht jugosllav  brenda një Mali të Zi ku Perëndimi ka ndikuar shumë nëpërmjet diellit dhe detit. Ai është shqiptar i madh, sepse është europian i madh, është properëndimor i madh, si u duk me shakanë që i bënë me Ramën Lavrovit që nuk mundi të shfrytëzonte hapësirën ajrore të Shqipërisë dhe Malit të Zi për të aterruar në Beograd. Me sekuestrimet e pronave ruse, mbipopullimin me ukrainas, mëshumë se kushdo në Europë, me udhëtimin tek Zelenski, ku ftoi krerët e Ballkanit të hapur.

Me gjasë Dritani nuk do të jetë kryeministër brenda pak javësh, por historia do të flasë për të, jo thjesht prej fuqisë së statistikës së të qenit kryeministër që vjen prej 5 % -ishit. Kur ballkanasit e tjerë grinden për historinë dhe nuk merren me ekonominë, ai udhëheq shtetin e vet aq qetësisht sa barkën e vogël në Bunë. Partitë e tjera shqiptare në Mal të Zi, kanë njëjtë si ai 4 vota kyçe për shumicën, por nuk mund të bëjnë dot vezën e tij, të marrin kryeministrin. Shqipëria është jashtë çdo lloj ndikimi tek këto parti. Madje as Kosova. Atome të vegjël, pashallarë të shekullit të 21-të, që tundin flamurin kuqezi, por që nuk kanë grazhd ku li lidhen. Së paku në dukje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Igli Tola, Pedagog Ekonomie

‘Lavanteria’ Albania