MENU
klinika

"Nuk përjashtohet një sulm i ri!"

Kurti: Pa sanksione, nuk ka marrëveshje me Serbinë

29.09.2023 - 21:57

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Al Jazeera, ka folur mbi sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës, ku është shprehur se i druhet një sulmi të ri nga Serbia dhe se sipas tij “Vuçiç deshi luftë dhe gjenocid”.

Kurti u shpreh se pas sulmit në Banjskë, tashmë situata është e qetë, por “”nuk përjashtohen agresionet e përsëritura, ndaj jemi shumë të kujdesshëm”, ndërsa theksoi më tej se sipas tij Serbia do luftë dhe “donin që fillimi i asaj lufte të ishte vetëm të dielën e 24 shtatorit”.

“Sigurisht që situata është e qetë tani për shkak të policisë sonë, por nuk përjashtohen agresionet e përsëritura, ndaj jemi shumë të kujdesshëm. Tani, i gjithë ai municion dhe armë që kanë arritur në pjesën veriore të Kosovës nga Serbia janë në fakt armë për luftë. Ata donin që fillimi i asaj lufte të ishte vetëm të dielën e 24 shtatorit”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti më tej shtoi se ka informacione të shumta që këto “grupe të armatosura” të vendosura në Veri, e që sipas tij, “Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion”.

Kurti e ka cilësuar sulmin në Veri si “një sulm terrorist e kriminal ndaj republikës sonë, ndaj policisë sonë, sepse presidenti i Serbisë vendosi të sulmojë vendin tonë”.

“Ai e do luftën, ai dëshiron luftën, ai dëshiron luftën sepse ai dëshiron Republikën Srpska në Kosovë. Ju e dini pse u krijua Republika Srpska. Sepse në Bosnje kishte luftë dhe gjenocid. Tani, ai dëshiron luftë dhe një gjenocid tjetër në Kosovë për të marrë Republikën Srpska, por nuk do ta bëjë”, theksoi Kurti gjatë intervistës.

I pyetur nëse Kosova është gati për kërkesën e Vuçiçit për t’ia lënë plotësisht KFOR-it kontrollin mbi veriun e Kosovës, Kurti u shpreh se “ai nuk mund të pretendojë asgjë për Republikën e Kosovës”.

“Ai nuk mund të pretendojë asgjë për Republikën e Kosovës. Le të merret me Serbinë, nëse mundet. Nuk mendoj se duhet të merret as me Serbinë, por kur të jetë përfaqësues, çfarë do të bëjmë? Republika e Kosovës është shtet sovran, ne vendosim për territorin dhe rendin tonë kushtetues. Sa herë që kemi sulme të ngjashme, reaguesi i parë është Policia e Kosovës, i dyti është EULEX-i dhe i treti është KFOR-i. Kjo nuk mund të ndryshohet, sepse është çështje mes Kosovës dhe NATO-s”, theksoi ai.

Më tej, kreu i qeverisë së Kosovës, është pyetur edhe në lidhje me thirrjet e ndërkombëtarëve për qetësimin e marrëdhënieve mes palëve, dhe negociatat mes tyre, për të cilat Kurti u shpreh se e rëndësishme tanimë për Kosovën është “siguria, sanksionet për Serbinë”, dhe pastaj mund të kemi një zgjidhje për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.