MENU
klinika

U arrestua dy ditë më parë

Media franceze: Behar Bajri në 2021 kishte aplikuar për azil në Francë

06.09.2023 - 19:41

Behar Bajri ra në prangat e policisë franceze dy ditë më parë, pas një operacioni të zhvilluar nga autoritetet vendase në bashkëpunim me policinë shqiptare. Këtë të mërkurë në një reagim zyrtar autoritetet franceze bënë me dije se Bajri në kërkim nga Interpoli do të ekstradohet dhe do t’i dorëzohet autoriteteve shqiptare.

Ndërkohë, lidhur me arrestimin e tij media “Europe 1” ka bërë me dije se 43-vjeçari Behar Bajri kishte aplikuar për azil në vitin 2021 në Francë. Më tej thuhet se i kërkuari nga Interpol dhe i dyshuar si i përfshirë në atentatin ndaj njërit prej rivalëve të tij, do të ekstradohet dhe do t’i dorëzohet autoriteteve shqiptare.

“Franca nuk është dhe nuk do të jetë pika e tërheqjes për mafian shqiptare. Me këtë arrestim, ky është mesazhi që autoritetet franceze po i dërgojnë drejtuesve të organizatave kriminale në Evropën Lindore. Sipas informacioneve të Europe 1, një drejtues i njohur klani shqiptar në arrati është gjetur dhe arrestuar të hënën në Strasburg nga policia gjyqësore franceze. Behar B., 43 vjeç, konsiderohet kreu i një klani kriminal shqiptar. Ai dyshohet gjithashtu se është përfshirë në atentatin e një prej rivalëve të tij në Shkodër në veri të Shqipërisë në gusht 2020”, thuhet në shkrimin e kësaj medie.

Behar Bajri u arrestua dy ditë më parë në Francë, pas një operacioni të zhvilluar nga autoritetet franceze në bashkëpunim me policinë shqiptare. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit policor “Metamorfoza” që u zhvillua pak javë më parë me urdhër të SPAK.

Ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, si i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Dyshohet që ky grup kriminal është përfshirë në vepra penale të vrasjes dhe urdhërimit të tyre, pastrimit të parave dhe lojërave të fatit.

43-vjeçari ishte i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme së bashkë me 8 persona të tjerë, të dyshuar për 12 vepra penale, përfshirë: grup i strukturuar kriminal, vrasje me dashje, korrupsion, pastrim parash e shpërdorim detyre.