MENU
klinika

"U zbardhën 16 ngjarje të rënda kriminale"

Ministri Balla përgëzon megaoperacionin e Policisë së Shtetit

28.09.2023 - 17:09

Ministri i Brendshëm Taulant Balla përgëzoi Policinë e Shtetit për suksesin e arritur në kuadër të megaoperacionit të koduar “Never_Forget” përmes një postimi në facebook, ku nënvizonte se “u zbardhën 16 ngjarje të rënda kriminale”.

Në statusin e publikuar, Balla thekson se:

“Operacioni i Policisë së Shtetit “Never_Forget”, bëri të mundur zbardhjen e 16 ngjarjeve të rënda kriminale. Përgëzime Policisë, Prokurorisë Elbasan. Presim goditje të tjera ndaj krimit si kjo”.

Detajet e operacionit i bëri publike Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, gjatë një konferencë për shtyp, së bashku me prokurorin pranë Gjykatës së Elbasanit Kreshnik Ajazi.

Rrumbullaku u theksoi në deklaratën e tij se “gjatë këtij mega-operacioni u zhvilluan hetime me profesionalizëm dhe në ruajtje të plotë të sekretit hetimor, ndërthurur me rritje të forcës reaguese për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të kërkuar, me rrezikshmëri shoqërore, si dhe u bashkëpunua me agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, punë e cila solli si rezultat zbardhjen e 6 vrasjeve, 5 rasteve të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 rasteve të vjedhjes me dhunë, 3 rasteve të sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, 1 rasti të kanosjes së punonjësve të Policisë (ngjarje këto të ndodhura në disa qytete të vendit), si dhe zbardhjen e 2 vrasjeve të kryera në Greqi.

Bazuar në provat e siguruara nga ky megaoperacion, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka lëshuar 15 urdhra ndalimi, nga të cilat 12 janë ekzekutuar, ndërsa 3 shtetas janë shpallur në kërkim.”

Drejtori i Përgjithshëm dha detaje të hollësishme rreth një zinxhiri të gjatë ngjarjesh të rënda kriminale, të ndodhura kryesisht në vitin 2021, me viktima e pasoja të tjera të rënda, autorëve të vrasjeve, bashkëpunëtorëve, provave materiale etj.

“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar kapsolla detonatorë, silenciatorë, krehra fishekësh, fara kanabisi, celularë, automjete etj.” u shpreh Rrumbullaku.

Ai siguroi gjithashtu se nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e ngjarjeve të tjera të rënda kriminale kundër personit e pronës.

Ai nënvizoi gjithashtu se janë duke vijuar intensivisht veprimet e përditshme hetimore në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, si dhe për zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla.

Në fund, ai bëri një apel për qytetarët të bashkëpunojnë edhe më shumë me Policinë, të jenë më aktivë për të luftuar bashkërisht paligjshmëritë, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë shoqërinë tonë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Të përfshirë në vrasje dhe krime të rënda

Kush janë 12 anëtarët e bandës së Laert Haxhisë