MENU
klinika

20 familje në Durrës në protestë

Morën çelësat e pallatit të rindërtuar, por s’kanë ujë e drita!

06.09.2023 - 13:25

Ndonëse kanë kaluar 4 vite nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit 2019, në qytetin e Durrësit shumë familje vijojnë të mbeten të pastreha.

Së fundmi rreth 20 familje, banorë të lagjes nr.7, janë ngritur në protestë, pasi ndonëse bashkia iu ka dorëzuar çelësat e apartamenteve të pallatit, punimet ende nuk janë mbyllur në këtë ndërtesë.

Në pallatin në fjalë, sipas ankesave të banorëve ende nuk është lidhur as shërbimi i ujësjellësit si dhe as energjia elektrike.

“I kemi marrë që me 26 Korrik çelësat, edhe më mirë mos na i kishin dhënë fare sesa na i japin kot çelësat dhe as ujë, as drita s’kemi. Kemi një muaj e pak.”

Krahas punimeve të papërfunduara, prej 7 muajsh qytetarët nuk marrin bonusin e qerasë duke rënduar kështu gjendjen e tyre ekonomike.

“Ne me qera po qëndrojmë. Kemi gjatë muaj që s’kemi as bonus qeraje as asgjë. Kam tre muaj që nuk po jap qeranë atij që e ka, sepse i them kur t’na e japë bashkia.”

“Mos na lini rrugëve. Na lidhni drita, ujë. U bënë dy muaj, pa bonus qeraje, pa asnjë lloj gjëje. 7 muaj pa marrë bonus. Edhe kshu nuk shkohet më!”

Ata ngrenë pretendimin se megjithëse punimet në pallatin e rindërtuar në po të njëjtin vend kanë përfunduar prej muajsh, bashkia Durrës e ka marrë në dorëzim godinën, pa u mbyllur punimet.

Edhe pas disa ankesave në bashki, ata tregojnë se nuk kanë gjetur ende asnjë zgjidhje.

“Ne tek bashkia jemi interesuar, dhe kryebashkiakja thotë që me atë punë po merremi. Sështë zgjidhja me protesta, po s’kemi ku ta gjejmë këtë zgjidhje. Nuk na ktheu përgjigje fare, na injoroi mesazhet.”

Në bashkinë e Durrësit janë ende 2479 familje që trajtohen me bonus qiraje, si pasojë e mungesës së strehimit të përhershëm, që prej tërmetit të 26-Nëntorit.