MENU
klinika

Ja çfarë u diskutua

Opozita kërkon tre Komisione Hetimore, debate të forta në Konferencën e Kryetarëve

29.09.2023 - 12:29

Ashtu si dhe ishte parashikuar ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit ka nisur mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Gjatë kësaj mbledhje do të shqyrtohet tre kërkesat e Partisë Demokratike për ngritjen e komisioneve hetimore. Një nga kerkesat e opozitës ka të bëjë me koncesionet në shëndetësi, siç janë çështja e sterizilizimit dhe Check-up, të cilat janë dhe prioritet për shkak të abuzimeve.

Kërkesa tjetër ka të bëjë me të dhënat personale të qytetarëve dhe ndërhyrja në sistemin TIMS. Ndërsa, kërkesa tjetër për të cilën opozitarët kanë kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe konfliktin e interesit.

“Jemi njohur dhe njihemi çdo ditë sesi zyrtarë publikë marrin vendime për të pasuruar miqtë, shokët dhe familjarët e tyre. Një Komision tjetër do jetë për zbatimin e ligjit dhe konfliktin e interesit”, tha më herët Bardhi.

Burime për mediat bëjnë me dije se kjo mbledhje është duke u zhvilluar me debate të forta. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mësohet të ketë thënë se maxhoranca ka pretendime për objektin e kërkesave dhe i ka bërë ftesë që t’ i riformulojnë.

“Nëse keni pretendime për objektin, hajdeni ta riformulojmë. Por ju kërkoni të mohoni të drejtën e opozitës, duke shkelur kushtetutën e Shqipërisë. Po shkelni çdo parim demokratik, duke i mohuar opozitës çdo hapësirë. Është kushtetuta, që i garanton opozitës të drejtat për komisionet hetimore”, tha Bardhi.