MENU
klinika

"Jemi të tmerruar..."

Banorët e Banjskës të “ngujuar” në shtëpi!

27.09.2023 - 14:01

Fshati Banjskë i Zveçanit, në veri të Kosovës, është hapur në mesditën e së mërkurës. Më 24 shtator, afër manastirit të Banjskës ka ndodhur një përleshje e armatosur mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur.

Për pasojë janë vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues. Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist. Zveçani dhe tri komuna tjera në veri janë të banuara me shumicë serbe.

Në mesditën e së mërkurës, është parë se fshati është i zbrazët dhe njerëzit kryesisht janë të mbyllur nëpër shtëpi. Vetëm ekipe të gazetarëve dhe zyrtarët policorë shihen nëpër rrugë.

Rrugës për në fshat shihen vetëm pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës. Banorët shprehin frikë dhe thonë se nuk e dinë çfarë ka ndodhur.

“Jemi të tmerruar, kemi nevojë që dikush të na tregojë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë një banore e nacionalitetit serb në Banjskë.

Sipas saj, situata e së dielës ka qenë më e rëndë sesa e luftës.

“Në errësirën e parë kemi hyrë në shtëpi”, ka thënë ajo.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, u ka thënë mediave, pas hapjes së fshatit, se rreziku nuk ka kaluar ende dhe hetimet nuk do të përfundojnë edhe një kohë të gjatë.

“Është interesant edhe për ne ta dimë se pse është zgjedhur ky fshat dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur. Është një fshat i qetë, një fshat i mirë, një fshat turistik. Njerëzit janë shumë të mirë, shumë të qetë. Ndoshta puna e kufirit, sepse logjistika ka pasur mundësi të vijë nga ana e shtetit serb atje”, ka thënë Elshani para mediave.

Ai ka thënë se Policia vlerëson se ka bërë “kontroll goxha të mirë edhe rreth malit”, ndonëse e ka përmendur rrezikun e përhapjes së mjeteve të paeksploduara, sepse Elshani ka thënë se autoritetet kanë gjetur shumë të tilla.

Sipas tij, Policia e Kosovës nuk e ka pasur qëllim vrasjen e 30 personave.

“Nuk e kemi pasur qëllim vrasjen e asnjë njeriu. Qëllimi ynë ka qenë marrja e territorit tonë, lirimi i këtij territorit prej grupeve kriminale që nuk është dashur të jenë këtu. Dhe nëse gjatë atij procesi ka pasur të lënduar, apo viktima, ajo është pjesë e procesit”.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiç i ka organizuar sulmet dhe ka qenë pjesë e tyre.

Ato madje e kanë publikuar një pamje me dronë, dhe aty pretendohet se shihet Radoiçiç i armatosur, në mesin e një grupi burrash, po ashtu me armë në duar dhe të veshur me uniforma.

Në Serbi, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç ka thënë se shihet qartë që video-incizimi nuk është i ditës së sulmeve në veri të Kosovës.

“Nuk e kam atë informacion nëse ai [Radoiçiç] është në video-material apo jo, nuk e di”, ka thënë ai për Radiotelevizionin e Serbisë.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi./ REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


U përfol se nënkryetari i partisë u përfshi në sulm

Lista Serbe mban tri ditë zi për terroristët e vrarë në Banjskë

U vra në krye të detyrës nga kriminelët serbë

Përcillet për në banesën e fundit efektivi Afrim Bunjaku