MENU
klinika

"Materialet e dorëzuara nuk ishin të plota"

Prokuroria e Tiranës reagon pasi AMP denoncoi skandalin me sistemin TIMS

22.09.2023 - 11:10

Prokuroria e Tiranës ka reaguar pasi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore denoncoi skandalin për ndërhyrje në sistemin TIMS.

Sipas Prokurorisë, materialet e dorëzuara nga AMP për situatën në sistemin e Drejtorisë Teknologjike të Informacionit nuk ishin të plota.

Ndaj thekson se, “organi i akuzës e ka deleguar fashikullin për të cilin po hetohet në AMP, ku po kryhen veprimet shtesë”.

“Materialet e dorëzuara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Prokurorinë e Tiranës për situatën në sistemin e Drejtorisë Teknologjike të Informacionit (TIMS) duket se kanë qenë të pa plota. Për këtë arsye, organi i akuzës e ka deleguar fashikullin për të cilin po hetohet në AMP, ku po kryhen veprimet shtesë”, -thuhet në reagimin e organit hetues.

Kallëzimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për ndërhyrjet në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit, pas ngritjes së shqetësimit për skandalin nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane në Tiranë, Martin McDowell shprehu shqetësimin e SHBA-ve lidhur me shkeljen në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit.

McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre.

“I ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell, u takua sot me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë. I ngarkuari me Punë McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDowell i tha gjithashtu ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, u tha në njoftimin e Ambasadës.

SKANDALI
Më datë 2 gusht, bëhet me dije se drejtuesi i ri i Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit ka urdhëruar kalimin e të dhënave të sistemit TIMS në hartdisk të jashtëm.

Po atë ditë, mësohet se një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka rënë në gjurmët e këtij akti, ka njoftuar eprorin e tij, i cili ka urdhëruar menjëherë bllokimin e të gjithë eksportimit të të dhënave. Por drejtuesi i ri, sipas të dhënave që janë bërë publike nga reagimet e brendshme që kanë ndodhur përgjatë asaj dite në Policinë e Shtetit, ua ka kërkuar bashkëpunëtorëve të tij të përjashtojnë drejtuesin nga çdo veprim në kompjuterët e tyre.

Ngjarja (dhe këtë pritet ta vërtetojë Prokuroria) ka zier për tri ditë brenda Policisë së Shtetit, ku është theksuar se në fakt është vënë në dijeni të skandalit edhe Muhamet Rrumbullaku, kryepolici i vendit. Skandali u nxor me datë 5 gusht, orëve të pasdites, u hodh në media në formën e një email-i dërguar nga punonjës Policie në dijeni të aktit për krerët e Policisë.

Email-i informues dhe i detajuar me të gjitha veprimet konkrete të drejtuesit të Policisë dhe të personave që e mbështesnin u shpërnda në të gjitha rrjetet sociale, por pa mundur të shkohet deri te Prokuroria as e Tiranës dhe aq më pak te SPAK.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përplasjet mes punonjësve të Policisë për tri ditë me radhë për vjedhjen e urdhëruar nga drejtuesi

Skandali i sistemit TIMS, AMP kallëzim në Prokurori!