MENU
klinika

Analiza

Pse Wagner është më i rrezikshëm pa Prigozhinin?

01.09.2023 - 10:30

Vdekja e Jevgeni Prigozhin, drejtues i një ushtrie të madhe mercenarësh, ngjall lehtësisht një
mori analogjish: Nata e Thikave të Gjata e Hitlerit, vrasja e kalorësve tempullarë nga mbreti francez Filipi IV etj. Unë nuk kam ndonjë përvojë personale me Wagner-in, dhe as që mund të pretendoj se e di arsyen pse u vra Prigozhin apo nga kush u dha urdhri.

Sepse në një aspekt specifik Rusia është si Afrika. Ajo fsheh mistere të padepërtueshme, në të cilat e pamundura del të jetë e vërtetë, por dhe e mundshmja rezulton më pas të jetë një gënjeshtër.

Por mund të pretendoj se di disa gjëra mbi mercenarët në Afrikë. Në rininë time, shkrova bashkë një libër së bashku me një nga mercenarët më të frikshëm të kontinentit, një veteran nga Kongoja, i cili u konsiderua si i parëndësishëm nga botuesit, saqë ata refuzuan ta botonin historinë e tij.

Kjo derisa ai u shfaq papritur, siç bëjnë mercenarët, si pjesë e një grushti shteti në një ishull në Oqeanin Indian në vitin 1982. Ai quhej Xherri Puren dhe shërbeu si mercenar në provincën separatiste Katanga, më vonë Shaba në Republikën Demokratike të Kongos në vitet 1961-1963. Veprimet e Kombeve të Bashkuara e detyruan që të mërgonte në Belgjikë se bashku me Moise Tshombe, presidentin e rrëzuar të Katangës. Ai ishte i pranishëm në Ndola në Zambia, asokohe Rodezia Veriore, kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Dag Hamarskjold u vra në një mision paqeje në vitin 1961 gjatë një aksidenti ajror misterioz.

Sa herë që e pyesja Puren këmbëngulte se kishte qenë thjesht duke kaluar në atë zonë, dhe se eliminimi i shefit të OKB-së ishin bërë nga amerikanët. Kur rebelët e mbështetur nga sovjetikët hynë në Kongon Lindore në mesin e viteve 1960 për të rrëzuar presidentin e mbështetur nga perëndimi, Mobutu Sese Seko, CIA themeloi një forcë mercenare kryesisht afrikano-jugore, të quajtur “Five Commando”, e promovuar më vonë si “Patat e Egra”, të cilën e dërgoi për të shuar rebelimin. Ata vepruan. Puren u kthye në vend së bashku me Tshomben, por ra shpejt në grackën e grushtit të dështuar të xhandarëve të Katangës të vitit 1967, e udhëhequr nga mercenarë belgë dhe ata francezë si Zhan Shrame dhe Demon Denard.

Puren u mor me punë të rëndomta në Afrikën e Jugut derisa u thirr sërish në mision. Së bashku me Majk Hoar, ish-komandantin e Five Commando, ata nisën një grusht shteti të dështuar kundër qeverisë së Ishujve Sejshell të Rene Albertit në nëntor 1982, në bashkëpunim me një grup aventurierësh ushtarakë të Afrikës së Jugut. Ai kishte premtuar se do të më merrte edhe mua, një gazetar i ri i uritur për lajme të bujshme, në misionin e tij të radhës, por në fund refuzoi. Sepse për mua mund të kishte qenë një lëvizje, e cila mund t’i jepte fund para kohës karrierës sime. Dhe në fakt Hoare dhe banda i shpëtuan për pak kapjes, duke rrëmbyer një avion të kompanisë “Air India”.

Puren, pjesë e një njësie zbulimi, mbeti atje. Kur pa avionin që u ngjit lart në qiell, ai e kuptoi se ishte në një telash shumë të madh. Qëndroi 19 ditë i fshehur në xhungël para se të dorëzohej. Së bashku me 4 skautë të tjerë që gjithashtu u kapën, u shpall fajtor dhe u dënua fillimisht me vdekje.

Arriti të shpëtojë vetëm nga ndërmjetësimi i kryepeshkopit Desmond Tutu. Diplomacia u garantoi atyre një lirim të parakohshëm. Por shpirti i aventurës nuk vdes kurrë tek këta njerëz. Ndaj kur dëgjoi se po raportoja për luftërat në Angolën jugore në mesin e viteve 1980, më kërkoi t’i bëja një propozim udhëheqësit rebel të UNITA-s, Xhonas Savimbi. Me një moshë mbi 70-vjeçare, Puren ofroi të ndërtonte një forcë ajrore për Savimbin.

I tillë ishte optimizmi dhe naiviteti i pakufishëm i mercenarëve të stilit të vjetër. Gjithsesi, Puren vdiq i varfër në një zonë të vargër të qytetit-port të Durbanit në Afrikën e Jugut. Bashkëshortja e tij Xhulia, këmbënguli se vdekja e tij u shpejtua kur ata u sulmuan dhe u grabitën në banesën e tyre nga 2 studentë të një universiteti aty pranë. Ajo tha se ai kishte atë marrë atë pamjen e atij që e kishte parë aq shpesh në Kongo, pamjen e një burri gati të vdiste.

Megjithatë unë mësova disa gjëra nga Puren dhe organizata e tij. Së pari, shumë mercenarë të asaj epoke ishin jashtëzakonisht simpatikë dhe interesantë, disa prej tyre edhe të mirarsimuar. Por që të gjithëve u mungonte tërësisht një busull morale e brendshme. Joshja dhe eksitimi nga aventurat dhe paratë që fitonin, ishin përpara të gjitha aspiratave të tjera më fisnike.

Së dyti, shumica e tyre vdiqën në varfëri. Sepse i njëjti vrull që i shtyu ata drejt aventurave të tilla, ua konsumoi me shpejtësi të ardhurat. Askush nuk dukej se u pendua as për jetën e as për varfërinë e tyre: ata jetuan dhe vdiqën të kënaqur me kujtimet që lanë pas.

Së treti, gjenerata e Puren dhe e afrikanëve mercenarë, janë një fenomen po aq i humbur sa aventurierët e epokës viktoriane që diktuan historinë e vendit në marshimin drejt hegjemonisë globale. Mercenarët gangsterë shërbyen në luftërat e Biafranit dhe në Angolë gjatë viteve 1970. Grupimi më efektiv, Executive Outcomes, grupi mercenar i Afrikës së Jugut, i përbërë nga veteranë të luftërave kufitare 15-vjeçare, operoi në Angola, Sierra Leone dhe Papua Guinea e Re gjatë viteve 1990.

Ata ishin pararendësit e kompanive moderne private ushtarake (PMC), ku më e dalluara prej tyre, amerikania Blackwater (sot Academi), mbështeti misionin e perëndimorëve në Afganistan dhe Irak. Grupi Wagner, është krenar që e pretendon atë si paraardhësin e tij konceptual. Por përmes ekskluziviteteve të tij, ushtria mercenare ruse është shumë më e rrezikshme, ndoshta edhe më shumë tani që janë eliminuar udhëheqësit e saj.

Pse Wagner është më i rrezikshëm pa Prigozhinin, leksionet

Grupi Wanger

Ka edhe një element të katërt që e mësova nga mercenarët. Ata janë punonjës aspak besnikë, të aftë të ndryshojnë krah në çdo moment apo për të hequr qafe liderët e tyre. Për këtë mjaftoni të pyesni romakët. Vladimir Putin e ka kuptuar me vonesë këtë gjë. Ndaj u kërkon mercenarëve rusë të nënshkruajnë dokumente zyrtare, ku premtojnë besnikëri
ndaj Rusisë. Por në një botë në të cilën vendet e zhvilluara janë shumë të rafinuara për ta përdorur ushtrinë e tyre në biznesin e luftës, do të ketë gjithmonë vend për një Grup Wagner.

Dhe kështu kemi një tjetër analogji historike: pas 500 vjetësh, kompanitë private luftarake të epokës së Mesjetës, të ashtuquajturat Condottiere, janë rikthyer më fuqishëm se kurrë më parë.