MENU
klinika

Sulmi terrorist në Banjskë

Radoiçiç e pranon: Shkova për t’i rezistuar regjimit të Albin Kurtit

29.09.2023 - 14:36

Nënkryetari i “Listës Serbe” Milan Radoiçiç ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite ku vdiq efektivi i policit, Afrim Bunjaku.

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviç për publikun në Beograd.

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, thuhet në letër.

Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiçit, ka thënë se për veprimet e tij ai nuk ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar ndihmën e tyre.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atiji terror”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kjo është hera e parë që Radoiçiçi reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një zyrtar policor.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur tre terroristë.