MENU
klinika

Fluturimet në hapësirë

Rusia: Të gatshëm për bashkëpunimin me SHBA-në

16.09.2023 - 14:24

Kreu i agjencisë ruse të hapësirës ”Roscosmos” tha se ishte i gatshëm të zgjaste një marrëveshje me SHBA për fluturimet e përbashkëta hapësinore në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, kreu i ”Roscosmos”, Yuri Borisov, shtoi se është duke u përgatitur një marrëveshje e re për të lejuar fluturimet e kryqëzuara që të vazhdojnë në 2024 dhe 2025.

Moska kishte thënë më parë se do të ndërpriste bashkëpunimin me SHBA-në në hapësirë.

ISS është një nga vendet e pakta ku të dy vendet janë ende duke punuar së bashku që nga shpërthimi i luftës ruse kundër Ukrainës.

Dje, për shembull, astronautja amerikane Loral O’Hara nisi misionin e saj në hapësirë në bordin e një kapsule ”Soyuz” së bashku me homologët rusë Oleg Kononenko dhe Nikolai Chub.

Për shkak të marrëdhënieve jashtëzakonisht të tensionuara të dy vendeve, Rusia kohët e fundit njoftoi se do të ndërpriste bashkëpunimin pas vitit 2024 dhe se do të ndërtonte stacionin e saj orbital.

Megjithatë, duke qenë se ndërtimi i një stacioni hapësinor zgjat disa vite, Moska më vonë njoftoi se po konsideronte të qëndronte në bordin e ISS deri në vitin 2028.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN