MENU
klinika

Mal, det dhe shumë kafe!

Shqipëria, në sytë e turistëve që kërkuan “Maldivet low cost” në Europë

03.09.2023 - 18:41

Pushime në Itali? Më mirë në Shqipëri! Është ky titulli i një kronike televizive të përgatitur nga një media e vendit fqinj që reklamon Shqipërinë si destinacion veror.

Bëhet fjalë për një nga materialet e shumta që këtë sezon e kanë reklamuar Shqipërinë si një vend që ofron pamje piktoreske, plazhe me ujin e pastër si kristali, dhe ç’është më e rëndësishmja “Maldivet e Europës” janë shumë të përballueshëm për xhepin.

“Më kushtoi sa gjysma e një udhëtimi në Itali për një jetë që në vendin tonë e shohim në ëndërr,” shprehet një nënë me fëmijë që pushimet këtë vit i kaloi në Shqipëri, në kronikën televizive të përmendur më sipër.

Nisur nga këto raportime, shumica prej të cilave të ripostuara edhe nga vetë qeveria, krenare për shifrat e turizmit këtë vit , A2 CNN, kontaktoi disa turistë për të siguruar një panoramë më të detajuar të përshtypjeve të tyre rreth Shqipërisë.

Nga bisedat tona me ta, kuptuam se një pjesë e mirë e meritës për ngjalljen e kuriozitetet të tyre për “Shqipërinë e bukur dhe të lirë” e mbajnë algoritmet e mediave sociale. Dhe nëse ka një gjë që dimë për algoritmet është që ato i “ushqejnë” përdoruesit me përmbajtje rreth të cilave kanë shfaqur interes.

Emilie T
“Kemi dëgjuar fillimisht për Shqipërinë kur vizituam Kroacinë disa vite më parë. Më vonë filluam që të bënim kërkime dhe nisi të na shfaqej në feed-in e Instagramit. Megjithatë, ajo që shfaqet në Instagram, nuk përfaqëson atë që kaluam gjatë vizitës sonë,” shprehet Emilie T., një turiste nga Finlanda e cila e vizitoi Shqipërinë me shpresën se do të gjendej më pranë natyrës, por u përball me një realitet tjetër.

Lorna Baumeister
“Folëm shumë për “aventurat” tona të radhës dhe pamë disa klipe në TikTok për Shqipërinë. Kështu që vendosëm t’i jepnim një shans. Më pas thjesht rezervuam fluturimin, asgjë tjetër. Dhe më duhet të them se fluturimi ishte ai që na kushtoi më shumë gjatë udhëtimit ( 378 euro).”

Kështu e zbuloi Shqipërinë, Lorna Baumeister, turiste nga Gjermania.

Nga Britania e Madhe
“Kam dëgjuar të flitet mirë në mediat sociale: një vend i përballueshëm për xhepin, me ujëra të pastra kristal dhe male të bukura.”

Manika Azad, Britania e Madhe
“Donim të shkonim diku në një vend të ri në Europë që të ofronte kulturë dhe plazhe dhe kohë të bukur. Kisha parë shumë postime në Instagram dhe në TikTok verën që shkoi në të cilat reklamohej jugu i vendit.”

Janina, Gjermani
“Kam dëgjuar online për Shqipërinë kur po kërkonim destinacione për verën. Pamë shumë foto të bukura në Instagram, blogje dhe YT. Ishte hera ime e parë në Shqipëri, nuk kisha qenë kurrë në këtë vend.”

Mesatarja e ditëve të shpenzuara në Shqipëri prej tyre ishte 7 ditë dhe në tërësi shpenzimet ishin rreth 1000 euro personi.

Turistët me të cilët biseduam e kanë nisur kryesisht turin e tyre në Shqipëri nga veriu ku kanë vizituar Thethin, Valbonën, Shkodrën e më pas nga Tirana drejt jugut të Shqipërisë për plazhet aq shumë të reklamuara në rrjetet sociale.

Nisur nga fakti që buxheti për t’u shpenzuar në rastet e përmendura në këtë artikull ka qenë i kufizuar, veriu i vendit ka rezultuar i lirë për turistët, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për bregdetin.

Në qytete gjetëm çmime të përballueshme, që e bëjnë Shqipërinë një destinacion shumë të mirë për ata që udhëtojnë me buxhet të kufizuar. Jemi surprizuar nga çmimet e arsyeshme të ushqimit dhe akomodimit që na lejuan ta shijonim udhëtimin pa ‘bërë kërdinë me llogaritë bankare.’ Megjithatë, në det, çmimet ishin shumë herë më të larta. Restorantet ishin po aq të shtrenjta se në Finlandë ku ne jetojmë, dhe kjo për ne ishte e papritur.

Emilie T.

Kur mbërritëm në Shqipëri, shkuam në një pikë makinash me qira në aeroport dhe rezervuam një makinë për 1 javë. Ishte 420 euro…Të nesërmen në mëngjes u nisëm në drejtim të veriut deri sa mbërritëm në Theth. Më duhet të them, është një nga vendet më të bukura që kam parë ndonjëherë. Male pa fund dhe natyrë e pastër…. Çmimet në Theth ishin pak më të lira se në Gjermani. Në një restorant paguaje rreth 3-5 euro më pak se në Gjermani për të njëjtin vakt. Fjetja ishte shumë e lirë: 30 euro për 2 persona në një hotel shumë të bukur, mendoj se i ri, me mëngjes të përfshirë.

Lorna Baumeister

Pa u vënë re nuk ka mbetur as rritja drastike e çmimeve në vend, Lorena thotë se çmimet në supermarkete nuk ndryshonin shumë nga ato të Gjermanisë.

“Të haje në restorant shpesh të binte më lirë sesa të shkoje në supermarket,” shton ajo.

Është vendi më i lirë që kam vizituar në Europë. Edhe pse unë e vizitova vendin në maj, pak para se të niste sezoni veror.

Tia Thomas

Mal, det dhe shumë kafe! Shqipëria, në sytë e turistëve që kërkuan “Maldivet low cost” në Europë
Shpenzime për person, Tia Thomas

Çmimet janë shumë të ulëta për një destinacion europian pushimesh. Duke marrë parasysh cilësinë e plazheve dhe akomodimin, mbeta e surprizuar me çmimet. Ushqimi, hotelet dhe aktivitetet ishin shumë të ulëta. Megjithatë, çmimet e taksive ishin të ekzagjëruara dhe na është dashur që të paguajmë rreth 25 euro për një udhëtim që zgjaste 10 minuta në Ksamil.

Manika Azad

Mal, det dhe shumë kafe! Shqipëria, në sytë e turistëve që kërkuan “Maldivet low cost” në Europë
Shpenzime për person, Manika Azad
Përpos çmimeve të përballueshme të natyrës së pashoqe, turistët tanë bien në një mendje kur vjen puna te disa nga problematikat që janë kthyer në pengesa gjatë vizitës së tyre.

Ata listojnë probleme të theksuara me transportin publik, infrastrukturën rrugore në disa zona, mungesën e plazheve publike dhe muzikën e lartë në bregdet, mungesën e rojave bregdetare dhe standardet e dyfishta me turistët.

“Nuk kishim rezervuar makinë dhe ky ishte një disavantash i madh për ne, sepse transporti publik ishte në gjendje të keqe. Nuk ka informacion online për nisjet dhe mbërritjet. Pastaj na erdhën në ndihmë shqiptarët që banojnë në Itali.” Kjo ishte eksperienca e Francesko-s and Arianna-s, një çift italianësh që shpenzuan një javë nga pushimet e tyre në Shqipëri, pas rekomandimeve të marra nga miqtë e tyre shqiptarë në Itali.

Mal, det dhe shumë kafe! Shqipëria, në sytë e turistëve që kërkuan “Maldivet low cost” në Europë
Francesko
Ishte e vështirë për të udhëtuar. Unë nuk kam patentë dhe transporti publik nuk ishte i aksesueshëm. Dhe, në krahasim me ç’jemi mësuar në vende të tjera europiane, kjo na e bëri të vështirë udhëtimin.

Manika Azad

Autobusët ishin ok. Unë jam nga Gjermania dhe atje janë më të shtrenjtë. Vetëm taksitë ishin të shtrenjta. Kështu që nuk i përdorëm farë. Taksistë të ndryshëm të jepnin çmime të ndryshme. Për mua, Shqipëria është një destinacion i lirë dhe i mirë vere.

Janina

Vizitorët që vijnë nga pjesë më veriore të Europës janë kryesisht në kërkim të peisazheve dhe të një turizmi që të lejon të jesh sa më pranë me natyrën. Veriu i Shqipërisë ka rezultuar një destinacion i pëlqyer për ta, por jugu i vendit ofron një realitet tjetër.

Në Shqipëri nuk na pëlqeu fakti që shumica e plazheve ishin private, me shezlonge dhe muzikë të lartë, që ndryshonte nga eksperienca e qetë dhe në natyrë që ne po shpresonim të gjenim. Ne prisnim që të shijonim detin në një mjedis më të qetë dhe të patrazuar duke respektuar bukurinë e natyrës, por nuk ishte kjo ajo që gjetëm. E patëm të vështirë që të gjenim plazhe të vogla, larg turmës. Përpos kësaj, në natyrë kishte mbeturina të hedhura dhe në plazhet publike kishte xhama të thyer…dhe vumë re që në rrugë nuk respektohen me raste rregullat e qarkullimit, gjë që na bëri të tregoheshim shumë të kujdesshëm për të qenë të sigurt.

Emilie T.

Megjithatë, ajo shton se do ta sugjeronte Shqipërinë, si një vend perfekt për njerëzit që janë në kërkim të një atmosfere të gjallë feste dhe pushime të përqendruara rreth hoteleve dhe resorteve.

Saranda është shumë turistike, ka shumë dyqane turistike, shezlonge në çdo vend të lirë në plazh. Mijëra njerëz, një restorant pas tjetrit. Është shumë bukur të kalosh 1 ose 2 ditë atje, por mendoj se mjafton. Destinacioni ynë i fundit ka qenë Ksamil. Edhe Ksamili është shume turistik, por i bukur. Mendoj se shumë njerëz do të donin t’i kalonin pushimet atje, por nuk jam tipi për këtë. Ju keni një qytet të bukur, plazhe të bukura dhe restorante të mira dhe të lira, por ai është shumë i transformuar vetëm në një vend pushimi. Më vjen keq për këtë, sepse mund të shihni që Shqipëria ka një natyrë kaq të bukur dhe po e shkatërroni natyrën për hotele, “plazhe false” e kështu me radhë. Por për 2 ditë ishte shumë bukur.

Lorna Baumeister

Përpos të priturave dhe të papriturave ajo që mesa duket u ka lënë më shumë mbresa turistëve me të cilët ne biseduam ishte mikpritja e shqiptarëve, nga rrugët e zhurmshme të Tiranës, në bregdet e deri në alpet e veriut.

Bar-Café-të e shumta dhe ushqimi tradicional ishin një tjetër plus në përshtypjet e vizitorëve pasi i ranë Shqipërisë nga Thethi në Ksamil. Në vendin tuaj, thonë ata, nuk ndihesh si turist, por si pjesë e familjes.

Në paragrafët që vijojnë po lëmë përshtypjet e tyre rreth mikpritjes në vendin e vogël të Ballkanit që miqtë i pret gjithnjë me krahët hapur dhe zemrën plot.

Shumica e njerëzve që ne takuam ishin shumë mikpritës, ndihmues dhe miqësorë… Mikpritja e tyre e ngrohtë i shtohet aspekteve pozitive të eksperiencës sonë në Shqipëri. Në tërësi, mikpritja dhe mirësia e shqiptarëve na la në përshtypje të mirë që zgjati. Ishte shumë prekëse të shihje sa miqësorë ishin vendasit, që gjë na e bëri udhëtimin tonë më të këndshëm.

Emilie T. franceze

Ne kemi qenë në rrugë edhe natën dhe mund të them se asnjëri prej nesh nuk ka qenë i frikësuar. As edhe një herë. Njerëzit janë kaq të këndshëm dhe miqësorë. Vërtet nuk ndihesh si turist, por disa herë nëse të vënë re që je turist nga Perëndimi duhet të paguash pak më shumë se shqiptari.

Lorna Baumeister, gjermane

Njerëzit ishin shumë miqësorë, akomodimi ishte i mirë dhe i përballueshëm…Do të kthehesha me miqtë e mi patjetër. Thethi ishte i preferuari im dhe do të doja të kthehesha në verë sërish për ta vizituar…

Tia Thomas, britanike

Jemi të lumtur që kemi udhëtuar atje, tani që nga kthimi dëgjoj vazhdimisht njerëz që flasin se duan të shkojnë në Shqipëri për pushimet e tyre të radhës. Padyshim që duket se do të bëhet gjithnjë e më popullor me turistët nga Perëndimi vitin e ardhshëm. Shpresojmë se mund të ruajë ende hijeshinë dhe origjinalitetin e saj.

Manika Azad, britanike

Me ushqimin, isha më shumë e kënaqur në male sesa në plazh. Në bregdet mungonte ushqimi tradicional. Në tërësi ushqimi ishte shumë i mirë dhe kishte goxha opsione. Ia kam rekomanduar miqve dhe besoj se një ditë do të kthehem sërish. Njerëzit ishin shumë ndihmues dhe nuk patëm probleme komunikimi.

Janina, gjermane

Sa i përket kuzhinës, mbetëm të habitur sesa gjëra mund të ofrojë kuzhina shqiptare. Pjata tipike si ato italiane, por edhe mesdhetare. Qyteti që u pëlqeu më shumë ishte Gjirokastra, kanë vizituar edhe Ksamilin. Deti shumë i bukur, mund të konkurroni Sardenjën tonë. Një eksperiencë e mrekullueshme që duam ta bëjmë sërish. Herës tjetër do të vizitojmë edhe malet. Faleminderit për mikpritjen që na dhatë.

Francesko dhe Arianna, italianë