MENU
klinika

Shuhen shpresat për negociata

Si u shndërrua Papa Françesku në “të përkëdhelurin” e Kremlinit

01.09.2023 - 09:30

Nga Marsela Shytia

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, një takim ballë për ballë mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus, Vladimi Putin, është dukur si “ëndërr” për diplomatët perëndimorë dhe jo vetëm. Kjo për shkak të refuzimit kategorik të të dyve, qoftë edhe për tu ulur në të njëjtën tryezë. Megjithatë, për një periudhë kohe dukej se takimi do të ndodhte dhe “Kumbari” do të ishte Papa Françesku, kërkesa e të cilit dhe ndërmjetësimi i Emirateve të Bashkuara Arabe, mund të bënin realitet përballjen e shumëpritur. Megjithatë, me këtë ritëm duket e pamundur që Kisha Katolike të luajë një rol të rëndësishëm në negociatat e mundshme të paqes për konfliktin ukrainas. Sepse mosbesimi midis Vatikanit dhe Kievit në vend që të zvogëlohet po rritet gjithnjë e më shumë. Incidenti i fundit dhe reagimet jashtëzakonisht të ashpra që nxitën fjalët e Papa Françeskut për “Nënën e Madhe Rusi” dhe trashëgiminë e saj do të mbahen mend gjatë dhe do të jehojnë kudo. Kjo sepse siç shkruan kroatja “Jutarnji List”, Papa, duket se po shndërrohet në “të përkëdhelurin e Kremlinit”.

Pope decries 'terrible world war' on environment, announces new writing | Reuters

Komentet e Papës

Gjatë një video-konference me rreth 400 të rinj në Shën Petersburg, Papa Françesku u kërkoi të rinjve të mos “harrojnë trashëgiminë”. “Ju jeni trashëgimtarë të Rusisë së madhe, Rusisë së madhe të shenjtorëve, të mbretërve, Rusisë së madhe të Pjetrit të Madh, Katerinës II, Perandorisë së madhe, të ndritur ruse të kulturës, të njerëzimit,” tha ai. “Kurrë mos hiqni dorë nga kjo trashëgimi”, shtoi Papa. Ai i bëri komentet spontanisht në fund të një fjalimi, në të cilën ai u kërkoi të rinjve rusë të punonin drejt paqes. “Ju, të rinj rusë ju bëj thirrje për të qenë artizanët e paqes në mes të kaq shumë konflikteve, në mes të kaq shumë polarizimit nga të gjitha anët, që mundojnë botën tonë. Ju ftoj të jeni mbjellës, të mbillni farat e pajtim, fara të vogla që në këtë dimër lufte nuk do të mbijnë në tokën e ngrirë për momentin, por do të lulëzojnë në një pranverë të ardhshme”, tha ai.  Lavdërimi i Papës për historinë imperialiste të Rusisë nxitimenjëherë kritika nga Ukraina dhe jo vetëm.

Propaganda e Kremlinit

Të martën, Vatikani sqaroi komentet e Papës, duke thënë se ishte “e qartë nga konteksti në të cilin ai i shqiptoi ato, Papa synonte të inkurajonte të rinjtë për të ruajtur dhe promovuar atë që është pozitive në trashëgiminë e madhe kulturore dhe shpirtërore ruse. dhe sigurisht jo për të lartësuar logjikat imperialiste dhe personalitete qeveritare, të cituara për të treguar disa periudha historike referimi”.Sigurisht, rusët mezi e përmbajtën lumturinë. Në Kremlin, zëdhënësi i qeverisë ruse Dmitry Peskov të martën i quajti fjalët e Papa Françeskut “shumë kënaqësi”.  “Papa e njeh historinë ruse dhe kjo është shumë mirë,” tha ai. “Ka rrënjë të thella dhe trashëgimia jonë nuk kufizohet vetëm tek Pjetri i Madh apo Katerina, ajo është shumë më e lashtë”, shtoi ai.

Pope Francis visits Russian Embassy to Holy See to express concerns over war | National Catholic Reporter

Zemërimi i Kievit

Natyrisht, reagimet që vijnë nga Kievi janë tërësisht të kundërta. Kryepeshkopi Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës Katolike Greke të Ukrainës, tha në një deklaratë se fjalët e Françeskut që lartësonin Pjetrin e Madh dhe Katerinën II kishin shkaktuar “dhimbje dhe shqetësim të madh”.   Duke thënë se komentet e Papës i referoheshin “shembullit më të keq të imperializmit dhe nacionalizmit ekstrem rus”, Shevchuk shtoi: “Ne kemi frikë se këto fjalë do të kuptohen nga disa si një inkurajim i këtij nacionalizmi dhe imperializmi që është shkaku i vërtetë i luftës në Ukrainë.”Oleg Nikolenko, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, tha në një postim në rrjetet sociale se ishte “shumë për të ardhur keq që idetë e shtetit të madh rus, të cilat, në fakt, janë shkaku i agresionit kronik të Rusisë, me vetëdije ose pa vetëdije, vijnë nga goja e Papës, misioni i të cilit, është pikërisht të hapë sytë e rinisë ruse ndaj kursit katastrofik të udhëheqjes aktuale ruse”.Në një përpjekje për të ndihmuar ndërmjetësimin për t’i dhënë fund konfliktit, Papa emëroi kardinalin Matteo Zuppi si të dërguarin e tij personal për paqen këtë vit. Megjithatë, situata duket se i ka dalë jashtë kontrollit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Bota sot është e ‘uritur’ për paqe"

Papa Françesku mesazh në urimin për festën e Krishtlindjes

"E kam mbi tryezë propozimin!"

Papa Françesku: Mund të shkoj në Kiev