MENU
klinika

Mbi 650 mijë pensionistë pritet të përfitojnë rritje të pensioneve

Tjetër bonus në dhjetor, plani i qeverisë

15.09.2023 - 14:45

Mbi 650 mijë pensionistë pritet të përfitojnë rritje të pensioneve që nga 1 tetori dhe tjëtër bonus në dhjetor. Lajmin e mirë për të moshuarit e ka zbuluar dje deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili nga foltorja e Kuvendit njoftoi se pensionet do të rriten me 8.6% për të gjitha kategoritë. Po ashtu ai deklaroi se edhe në Dhjetor për festat e fundvitit të gjithë pensionistët do të marrin bonusin e përvitshëm. “Që nga data 1 tetor e gjithë masa e pensionistëve në Shqipëri do të marrë rritje të pensioneve me 8.6% që mbulon plotësisht normën e rritur të inflacionit për pensionistët. Për pak ditë kjo do të jetë efektive dhe do të sjellë për 3 muaj në vijim në buxhetet e pensionistëve 3.2 miliardë plus kjo rritje për vitin e ardhshëm do të transferojë te pensionistët 12. 1 miliardë lekë. Kjo është fatura e plotë. Ndërkohë që nga dhjetori i vitit që shkoi deri më 1 tetor janë 11.7 miliardë lekë që janë transferuar ën buxhetet e pensionistëve. Kësaj shume do t’i shtohet edhe bonusi i pensioneve që është për t’u paguar në dhjetor”, deklaroi ai. Por nëse bëjmë një përllogaritje pensionistët do të përfitojnë një rritje nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë në muaj në varësi të nivelit të pensionit që ata përfitojnë. Megjithatë do të jetë vendimi i qeverisë ai që do të saktësojë dhe specifikojë indeksimin e pensioneve, i cili vjen në nivel më të lartë për shkak të rritjes së çmimeve. Fondi që do të përdoret për bonusin e pensionistëve do të alokohet nga taksa e jashtëzakonshme që është vendosur për prodhuesit e mëdhenj të energjisë elektrike. Gjatë vitit të kaluar pensionet u indeksuan në nivelin 9.5% si një masë për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve që erdhën si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë.

Braçe: Duhet një marrëveshje për pensionet me Greqinë

Më tej deputeti socialist, Erion Braçe në fjalën e tij në seancën plenare theksoi se është e nevojshme që të ketë marrëveshje për pensionet me Greqinë dhe me Italinë. Braçe tha se mendohet se janë rreth 500 mijë në Greqi që mendohet se do të përfitojnë. Madje Braçe bëri ironi edhe me Fredi Belerin, teksa u shpreh se do të përfitojë edhe ai pasi ka bërë punë legale atje. “Na duhet një marrëveshje me Greqinë. Sa kohë kanë punuar ligjshëm dhe kanë paguar sigurime shoqërore atje. Mendohet se vetëm nga Greqia duhet të përfitojnë 500 mijë shqiptarë. Kemi një numër shumë të lartë punëtorësh në Greqi. Natyrisht është një çështje e drejtësisë sociale, dhe Greqia duhet ta garantoje për punëtorët shqiptarë siç e ka garantuar për punëtorët serbë. Unë mendoj se këta shqiptarë e meritojnë fort këtë marrëveshje. Edhe për Fredi Belerin sepse ka punuar në Greqi e po flas për punë të ligjshme jo ato të paligjshme që ka bërë në Greqi. Edhe në Itali duhet një marrëveshje. I lutem Melonit të firmosë sa më shpejt janë gati 300 mijë shqiptarë do të përfitonin me njëherë nga një marrëveshje për sigurimet shoqërorë. Në 2013 gjetëm një skemë pensionesh të falimentuar. Marrëveshja me Italinë është negociuar por mundon firma”, nënvizoi Braçe.

Reagon “Foltorja”

Ndërkohë deputeti i “Foltores” Oerd Bylykbashi, theksoi gjatë fjalës së tij pensionet në Shqipëri janë të turpshme. Madje deputeti Bylykbashi theksoi se duhet të bëhet një përpjekje që të rriten pensionet, duke marrë si shembull rritjen që propozohet t’u bëhet pagave të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. “Të gjithë ju jeni ndeshur në fushatë elektorale kur keni takuar qytetarët. Keni takuar njerëz, pensionistë… Personalisht më ka ndodhur, kur takova dikë që ankohej për pensionin 150 mijë të vjetra. Ishte një tjetër ngjitur. 150 tha, unë e kam 75 mijë lekë të vjetra. Pra ai ishte gjysmë e atij tjetri. Ne kemi pension minimal, për disa persona e kemi 78 mijë lekë të vjetra. Ky është një turp. Bëni një llogari të thjeshtë sa rrinë këta qytetarë që me atë pension t’u rrijë me dinjitet termi qytetar. Këta marrin diçka që nuk ka lidhje me dinjitetin e tyre njerëzor, si individ. Kjo republikë angazhohet për dinjitetin e njerëzve të vet. E dimë shumë mirë që minimumi jetik sot është afro 200 mijë lekë të vjetra”, deklaroi Bylykbashi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Borxhi i sigurimeve të papaguara

Çfarë po i rrezikon pensionet?