MENU
klinika

Zbardhet e shkuara kriminale

U arrestua me armë gati për qitje në Tiranë, Erind Mrruku vite më parë vrau një 25-vjeçar për një vajzë

12.09.2023 - 11:35

Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Kamëz, pasi është kapur duke lëvizur me armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje.

Në pranga ka rënë Erind Mrruku 36 vjeç, banues në Kamëz. Gjatë operacionit, në rrugën “Nënë Tereza”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar 36-vjeçarin, i cili gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje, krehër dhe municion luftarak.

Po kush është Erind Mrruku

Kujtojmë që Mrruku ka qenë i dënuar më herët për një vrasje. Në 2010 pas një sherri, Mrruku vrau Fabian Nikaj. Sherri nisi në një lokal në Shëngjin, ku shkak dyshohet se ishte një vajzë. Pas debatit me tone të larta, autori dhe viktima janë larguar.

Por përplasja nuk mbeti aty, Mrruku, i cili ishte së bashku me disa djem të tjerë ka ndjekur Nikajn me makinë deri në Lezhë dhe më pas aty e ka qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur.

Atë kohë 23 vjeç, Mrruku u arratis, ndërsa pak ditë më vonë u vetëdorëzuar në polici. Erind Mrruku dyshohet si anëtarë i një grupi kriminal që vepron në Tiranë.

Njoftimi i policisë së Kamzës:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar “Cancelled”.

Lëvizte me armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

36-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, municioni luftarak, një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, që iu gjetën 36-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrollit në banesë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur në rrugën “Nënë Tereza”, në Kamëz, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cancelled”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 36 vjeç, banues në Kamëz.

Gjatë operacionit, në rrugën “Nënë Tereza”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar shtetasin E. M., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje, krehër dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit dhe municionin luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.