MENU
klinika

Fatos Tarifa

Unë s’mund të jem ai që s’jam…

21.09.2023 - 10:19

Këto ditë shqiptarëve u kërkohet t’u përgjigjen pyetjeve të një pyetësori të gjatë, në kuadër të censusit të përgjithshëm të popullsisë së vendit.

Qytetarëve u kërkohet me detyrim t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve, me përjashtim të katër pyetjeve që kanë të bëjnë me identitetin etnik të tyre (pyetja 166), me besimin e tyre fetar, pra nëse janë ose jo besimtarë dhe praktikues të ndonjë feje (pyetja 168), me identitetin fetar–cilës fe dhe cilit komunitet fetar i përkasin, me fjalë të tjera, me cilën fe identifikohen (pyetja 169) dhe ç’gjuhë flasin zakonisht në shtëpi (pyetja 171).

Për këto katër pyetje qyetarëve u lejohet opsioni “preferoj të mos përgjigjem”, çka është korrekte. Një e drejtë e kujtdo.

Mund të kem shumë objeksione për këtë pyetësor, por shqetësimin më të madh ma krijon pyetja 166, që u kërkon qytetarëve (edhe pse në mënyrë opsionale) të shprehen se “me çfarë identiteti etnik identifikohen”.

“Zgjedhja” e identitetit etnik të një personi nuk mund t’i lihet subjektivitetit të vetë atij personi. Ndryshe nga identiteti ose përkatësia fetare, të cilën çdo individ e zgjedh me dëshirën e vet, përkatësia etnike nuk është një zgjedhje subjektive, një identitet personal që e zgjedhim sipas dëshirës sonë, por një fakt ontologjikisht dhe epistemologjikisht objektiv, që lidhet me–dhe përcaktohet nga–faktorë historikë, gjeografikë e kulturorë që nuk varen nga ne.

Ndërsa si një besimtar fetar unë mund ta ndërroj besimin, pra edhe identitetin tim fetar dhe komunitetin fetar, pjesë e të cilit bëhem, ose edhe mund të zgjedh të heq dorë nga çdo besim fetar, pra të zgjedh një identitet tjetër, identitetin etnik nuk mund ta zgjedh siç dua vetë.

Unë s’mund të bëhem ai që nuk jam. Nëse jam shqiptar, pra i përkas këtij grupi etnik, nuk mund të bëhem ose të them se jam grek, italian, amerikan apo turk.

Natyrisht, dikush mund të natyralizohet si shtetas i një vendi tjetër dhe, pra, të identifikohet si shtetas i atij vendi–si grek, ose si italian, si amerikan, apo turk–por shtetësia e re e atij personi nuk e ndryshon përkatësinë etnike të tij. Pasardhësit e tij një ose disa breza më vonë mundet edhe të mos identifikohen më si shqiptarë etnikë, nëse vetdija, vlerat dhe ndjenjat e identitetit të tyre etnik si shqiptarë dhe lidhja e tyre psikologjike, shpirtërore, kulturore dhe, ndoshta, gjuhësore me atdheun e origjinës së prindërve ose të të parëve të tyre nuk kultivohen tek ata që në fëmijëri dhe, ipso facto, dobësohen e shuhen.

Dikush mund të thotë se përgjigjja ndaj kësaj pyeteje në censusin e këtij viti është opsionale dhe, prandaj, nuk ka pse të shqetësohemi. Por jetojmë në Shqipëri. Patriotizmi (shqiptaria e Pashko Vasës) nuk mund të thuhet më se është feja e shqiptarëve. Më shumë se një e treta e shqiptarëve e kanë lënë Shqipërinë. Në Himarë dhe në rajone të tjera të vendit individë shqiptarë 24 karat vetëshpallen grekë. Për arsye që dihen. Shumë të tjerë, gjithashtu, mund të zgjedhin të jenë “grekë” nëse pyeten “me çfarë identiteti etnik identifikohesh?”.

Mund të konsiderohen e të pranohen si homoseksualë, nëse kështu dëshirojnë të identifikohen sa i përket orientimit seksual, por jo si grekë, nëse janë shqiptarë etnikë.

A duhet t’ua japë vetë qeveria shqiptare këtë “liri” që, për të “respektuar” dëshirën subjektive të një grushti njerëzish, që s’e kanë për gjë të “ndërrojnë” gjakun që u lëviz në deje dhe të mohojnë gjuhën e nënës që i ka lerë, të cënojnë interesin kombëtar të Shqipërisë?

Mund të duket e pamundur të ndodhë! Por ka ndodhur. Ka ndodhur forcërisht me shqiptarët në Kosovë për më shumë se një shekull. Ka ndodhur me shqiptarët ne Mal të Zi dhe në Maqedoni. Janë tretur në numër. Janë shuar të detyruar (ose kanë zgjedhur) të mohojnë identitetin e tyre etnik si shqiptarë, ose janë dëbuar. Greqia e ka bërë këtë me të gjitha mjetet me shqiptarët e Çamërisë.

A duher që kjo qeveri shqiptare “post-historike”, “post-strukturaliste” e sotme t’u krijojë zyrtarisht (përmes këtij censusi), lehtësi atyre shtetasve etnikë shqiptarë që mund të dëshirojnë ta mohojnë përkatësinë e tyre etnike shqiptare për t’u vetëshpallur grekë etnikë, maqedonas etnikë, bullgarë etnikë? A nuk do Greqia pikërisht këtë?

Kjo s’duhet të ndodhë!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN