MENU
klinika

"KFOR të marrë nën kontroll Veriun”

VOA: Rama vetë e konsideronte më parë një version të tillë humbje të kontrollit mbi territorin nga Kosova

28.09.2023 - 21:17

Në Tiranë kryeministri Edi Rama deklaroi sot se formati i dialogut të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, ku Bashkimi Evropian përfaqësohet me shefin e tij të diplomacisë Josep Borrel, dhe të dërguarin për dialogun Miroslav Lajçak, nuk ka çfarë të ofrojë më. “Minimalisht formati i derisotëm i Brukselit, ku “venë e vijnë” dy burra nga këtej dhe “hyjnë e dalin” dy burra atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo besoj minimalisht është e qartë” u shpreh ai gjatë një konferencë të posaçme për shtyp, mbi situatën e krijuar në Kosovë.

Kryeministri Rama përsëriti idenë e “një konference për normalizimin me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve të pandërprera. Ndërsa përfaqësimi i BE dhe i komunitetit euroatlantik në dialog, duhej ngritur dhe ai në nivelin më të lartë me Francën dhe Gjermaninë në konferencë në nivelin e Presidentit dhe të Kancelarit, si bashkëautore të këtij plani”.

Zoti Rama tha se diçka e tillë duhet të bëhej pa vonesë, duke shprehur shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të situatës deri në një konflikt të armatosur. “Pikërisht për të parandaluar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se asnjëherë më parë se deri dje, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”, u shpreh ai duke shtuar se “çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe në argumentin e orëve të fundit, jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupa mund ta bëjë largqoftë, ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi”.

Pak muaj më parë ai vetë e konsideronte një version të tillë humbje të kontrollit dhe formal mbi tërë territorin nga autoritetet e Kosovës. Në një postim në rjjetet sociale më 19 qershor, ndërsa shruante për nevojën e çtensionimit të situatës në Veriun e Kosovës, ai theksonte se “Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës!”.

I pyetur nga gazetarët për këtë qëndrim kontradiktor, zoti Rama tha se “Nuk jemi akoma aty, por mund të shkojmë aty”, pa dhënë shpjegime të mëtejshme

Kryeministri shqiptar, deklaroi se KFOR-in në veri e kërkonte dhe Kosova, por në fakt, nuk rezulton të ketë pasur një kërkesë të tillë nga Prishtina, përveçse që KFOR-i të rrisë mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit. Madje deklarata e tij ka nxitur dhe reagimet e para. Dejona Mihali, anëtare e kryesisë së partisë Vetvendosja, të kryeministrit Albin Kurti shkruajti në Facebook se “Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri. E as nuk do ta bëjë. Këtë e kërkon vetëm Serbia”.

Dy ditë më parë, pas një takimi me ambasadorët e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Italisë e Gjermanisë, president serb Aleksandar Vuçiç shkroi në rrjetet sociale se ka kërkuar nga diplomatët që “KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së (Albin) Kurtit”.

Por më parë, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke e dënuar sulmin e grupeve të armatosura serbe ndaj njësive të policisë së Kosovës, ishte shprehur se “policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për të siguruar zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës”./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Bashkë në betejën kundër Xi dhe Putinit"

“The Sunday Times” artikull për Edi Ramën