MENU
klinika

"Komuniteti euroatlantik të mbledhë forcën imponuese..."

Vrasja e policit në veri, reagon Rama: Këmbana më e madhe e alarmit!

24.09.2023 - 12:44

Kryeministri Edi Rama thotë se ngjarja e sotme në veri të Kosovës, ku një polic u vra është kambana më e madhe e alarmit.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare i bën thirrje komunitetit euroatlantik që me forcën imponuese të ulë në një tryezë dialogu Kosovën dhe Serbinë.

“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë.

Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, shkruan Edi Rama.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sulmet në Veri ku u vra një polic

Albin Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë!