MENU
klinika

Ish-burri i bëri pritë dhe..

Vritet me plumb në kokë 35-vjeçarja shqiptare! Si ndodhi krimi?

29.09.2023 - 17:12

Një 35-vjeçare shqiptare dyshohet së është ekzekutuar nga ish-burri i saj në mes të rrugës teksa po kthehej në banesë.

Viktima është identifikuar si Klodiana Vefa. Krimi ka ndodhur në rrugën via Galvani, pak pas orës 20:00 të mbrëmjes së të enjtes (28 Shtator).

Dyshohet se ish-bashkëshorti, Alfred Vefa, po e priste viktimën në rrugë dhe pasi kanë debatuar, ai e ka qëlluar me plumb në kokë.

Policia italiane ka shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e viktimës, Alfred Vefa dhe janë marrë pyetje dy fëmijët e saj, djali 17-vjeçar dhe vajza 14-vjeçe.

Njëri prej fëmijëve ka treguar se ka pasur debate të vazhdueshme mes prindërve të tyre. Megjithatë, rezulton se Klodiana Vefa s’ka bërë asnjë denoncim ndaj tij.

Policia vendosi postblloqe në rrugë dhe kërkimet për gjetjen e autorit u shtrinë jo vetëm në Valdelsa, por edhe përgjatë rrugës që shkon nga Castelfiorentino në Siena dhe gjithashtu drejt Firences.

Karabinierët kanë kontrolluar edhe shtëpitë e braktisura, por deri tani s’kanë arritur në gjurmët e autorit.

Klodiana Vefa punonte si kamariere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Castelfiorentino. Ajo u vra pak metra larg shtëpisë ku jetonte me fëmijët e saj.

Karabinierët gjetën në rrugë dy gëzhoja, por arma nuk u gjet, pasi vrasësi e mori me vete në momentin që u largua me makinë.